Tiranë – Grupi Strategjik i Planit Urbanistik nisi diskutimin mbi modelin ekonomik të Tiranës.
Si rajoni më i rëndësishëm për ekonominë kombëtare, Tirana ndjen nevojën e ridimensionimit të modelit të zhvillimit ekonomik, veçanërisht në kontekstin global të rritjes dhe intensifikimit të konkurrueshmërisë midis qyteteve.
Prezantimi i propozimit të grupit teknik për modelin e zhvillimit ekonomik të Tiranës u bë nga Flamur Kuçi, i cili sqaroi protokollin e bashkëpunimit mes Bashkisë së Tiranës dhe bashkive e komunave rreth saj.
Kuçi shpjegoi se nuk bëhet fjalë për ndryshim të kufijve administrativë. “Ne nuk po ndryshojmë kufijtë, por po fusim një metodologji të re të planifikimit urban, për të ndryshuar një klimë mosbesimi që ka pasur Bashkia, në raport me zonat suburbane dhe për të ndërtuar një plan që të përfshijë këto rajone dhe të harmonizojnë zhvillimin urban të tyre”, tha Kuçi.
Sipas tij kjo zonë e marrë në studim, është ajo që mendohet se do të jetë zona e urbanizuar e qytetit, dhe që do të kufizohet, në pjesën lindore nga Parku i Dajtit, në pjesën jugperëndimore nga ajo që synohet të kthehet në një park periferik për kryeqytetin.
Kuçi tha se është rënë dakord edhe për tre parqe qyteti, parku i Liqenit, Farkës dhe Paskuqanit, ku ditët e fundit po shihet mundësia që të lidhet edhe me liqenin e Zallherit, në mënyrë që të mundësohet një park disi më i konsiderueshëm në pjesën veriore të Tiranës.
Anëtarët e grupit strategjik miratuan propozimet e grupit teknik duke i dhënë tashmë vizualizim të qartë parqeve dhe zonave të gjelbra rreth e qark Tiranës.
Kryebashkiaku Lulzim Basha tha se do të qëndrohet fort tek parimi i një Tirane të gjelbër.
“Qëndrojmë edhe njëherë fort, por tashmë me një vizualizim të qartë të parqeve, tek parimi i një Tirane të gjelbër, përtej së cilës kufizohet urbanizimi i konsoliduar dhe ku prioritet ka konservimi i gjelbërimit aktual dhe rikthimi i tij”, tha Basha.
Grupi strategjik ra dakord me parimet e prezantuara dhe skemën e transportit publik që origjinon pikërisht vendndodhja aktuale dhe vendndodhja e projektuar, sipas 4 parimeve të mëparshme të gjeneruesve kryesorë të nevojës dhe pikave kryesore aktuale të densitetit të transportit privat dhe publik.
Saturday, 21 January 2012 14:50