Lajme Shqip Tuesday, 23 July 2013 17:50

Tiranë – Kryetari i ri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka takuar paraardhësin e tij, Sali Berisha, në ambientet e kryeministrisë.
Basha, që bëri një fushatë të mefshtë, pa asnjë kritikë për zgjedhjet e humbura, do jetë i detyruar që të bëjë analizën për zgjedhjet e 23 qershorit.
Kryeministri Sali Berisha është shprehur i lumtur me fitoren e Bashës, duke e shprehur këtë me anë të një postimi në Facebook.
Basha pritej të zgjidhej kryetar i PD-së për shkak se njihet si i preferuari i Berishës.
Ndërkar Jozefina Topalli ka uruar kreun e ri të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Pavarësisht akuzave për manipulime, Topalli ka thënë se gara për zgjedhjen e kreut të ri të PD-së ka qenë e civilizuar dhe demokratike.
“Në një moment të vështirë të Partisë Demokratike, demokratët u ngritën për t’i dalë zot partisë së tyre! Me pjesëmarrjen e tyre në çdo takim, gjatë dy javëve të fushatës për zgjedhjen e kryetarit të ri të Partisë Demokratike, me qytetarinë dhe emancipimin e tyre, demokratët dëshmuan shpirtin e idealeve, mbi të cilat u lind dhe punoi kjo parti. Të vetëdijshëm për nevojën e ringritjes, të vendosur për t’i dalë zot asaj, në ditë të vështira, të bindur se Partia Demokratike kishte nevojë më shumë se kurrë për anëtarësinë e saj, demokratët e bënë garën një proçes emancipues, të veçantë, të civilizuar dhe demokratik. Sot, Partia Demokratike ka një kryetar të ri dhe uroj që ai t’i çojë sa më shpejt demokratët drejt fitores! Mirënjohje të thellë anëtarëve dhe antareve të Partisë Demokratike për shpirtin e tyre të paepur, zemrën e tyre të madhe, besimin dhe vullnetin e fortë për t’u ringritur”, ka thënë Topalli, antipatia e së cilës ndaj Lulzim Bashës, ka qenë e hapur për shumë kohë.