Lajme Shqip Friday, 02 March 2012 11:35

Tiranë – Brenda 5 marsit të gjithë konsumatorët, që janë faturuar më tepër në pagesat e ujit të pijshëm, do të rimbursohen në faturën pasardhëse, duke iu zbritur shuma, tha Kryebashkiaku Lulzim Basha, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.

Mbledhja e mbrëmjes së sotme nisi me debate mes përfaqësuesve të maxhorancës dhe opozitës.

Pas propozimit të Kryetarit të Bashkisë, Basha, për marrjen në pronësi nga Bashkia e Tiranës të aksioneve të saj të Ujësjellës – Kanalizimeve sh.a, Tiranë, nisën debatet nga ana e socialistëve lidhur me çmimin e rritur të faturës së ujit, duke e cilësuar si mungesë transparence pasi ajo sa vjen e rritet.

Kreu i këshilltarëve të majtë, Aldrin Dalipi, ngriti përpara këshillit bashkiak problemin e faturave të ujit të pijshëm dhe energjisë elektrike, ku qytetarët faturohen më shumë nga sa shpenzojnë.

Kreu i bashkisë, Lulzim Basha, duke iu referuar marrjes në pronësi nga Bashkia e Tiranës të aksioneve të saj të Ujësjellës – Kanalizimeve sh.a, Tiranë, tha sa proçesi ka qenë tërësisht transparent.

Ai pohoi se brenda 5 marsit të gjithë konsumatorët që janë faturuar më tepër, do të rimbursohen.

Deri më tani u miratuan me 28 vota pro, dy propozimet e para, ai i marrjes në pronësi nga Bashkia e Tiranës të aksioneve të saj të Ujësjellës – Kanalizimeve sh.a, Tiranë dhe vendimi për shpërndarjen në programe dhe zëra buxhetorë të fondit të papërdorur të vitit 2011, prej rreth 357 milionë lekësh.

Pritet miratimi i propozimeve të tjera si: zmadhimi i kapitalit të Klubit të Futbollit “Tirana sh.a”., krijimi i Qendrës Sociale “Shtëpia e Përbashkët” dhe vendosja e pllakës përkujtimore në banesën ku ka jetuar Artisti i Popullit (Nder i Kombit), Kadri Roshi.