Tiranë – Procesi i legalizimeve ka mbetur peng i disa artificeve, të cilat mund të zgjidhen më lehtë, se sa fillimi i këtij procesi që kërkoi një vendim epokal siç ishte Ligji i Legalizimit, u shpreh Kryebashkiaku Lulzim Basha, gjatë një takim më studentët e universitetit jopublik “Polis”.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të studentëve në lidhje me planin e ri urbanistik, Basha, vlerësoi se procesi i legalizimeve është kompleks, pasi për një pjesë dërrmuese të rasteve bëhet fjalë për prona publike ose private që janë prekur nga ky proces.
“Por Ligji i Legalizimeve, ndërkohë që u jep mundësinë për legalizim një komuniteti që përfaqëson rreth 1/3 e shqiptarëve, hap shtegun e kompensimit të pronës private”, tha Basha, sipas të cilit, “procesi i legalizimit ka ngecur, sepse nuk ka ecur në parametrat optimale, pasi procesi deri tani duhet të ishte në përfundim”.
Basha theksoi se ka një ndërgjegjësim total për t’i dhënë një impuls të ri procesit në nivelin e qeverisë qëndrore dhe se po merren masa për këtë qëllim, për të zhbllokuar ato pika reale apo artificiale që ngadalsojnë procesin dhe për t’a përmbyllur atë në nivel kombëtar brenda një kohe sa më të shkurtër.
Për këtë Bashkia e Tiranës ka një interes të dyfishtë. Basha argumentoi se “interesin që likuiditetet e fjetura në këto asete t’i rikthehen tregu të kapitalit. Interesi i Bashkisë është që të vendosë dhe të mundësojë mekanizmat më eficentë në punësim dhe rritje ekonomike. Në këtë kuptim injektimi në tregun e kapitalit i kolateraleve kaq të shumta që sot janë të ngrira në formën e tullave, kapitale që llogariten me miliarda euro, është padyshim një kontribut i menjëhershëm në zhvillimin ekonomik të qytetit dhe në rritjen e shanseve për punësim”.
Por përfundimi i procesit të legalizimeve lidhet edhe me realizimin e planit urbanistik. Sipas Bashës, plani i ri urbanistik “do të ketë të bëjë me më shumë se 30% të sipërfaqes me zona tërësisht subjekt të ligjit të legalizimit, informale në formalizim e sipër dhe në urbanzim”.
Për këtë çështje Bashkia e Tiranës do të investojë me vëmendje dhe resurse për të ndjekur procesin, veçanërisht brenda kufijve të kryeqytetit, me qëllim që procesi i legalizimeve të përfundojë brenda një kohe të shkurtër.
Tuesday, 20 December 2011 20:00