Lajme Shqip Friday, 23 December 2011 12:55

Tiranë – Kontrollet e Task Forcës së bashkisë për parandalimin e abuzimeve me çmimet kanë rezultuar të suksesshme, pohoi sot Kryebashkiaku Lulzim Basha.

Së bashku me nënkryetarin Edmond Panariti, Drejtorin e Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit (AMK), të Policisë Bashkiake dhe drejtues të Tatim – Taksave, Basha pa nga afër situatën e çmimeve në tregjet me shumicë tek ish – Uzina “Dinamo” dhe tregu “Avni Rustemi”,  ku edhe gjatë ditës së sotme çmimet nuk kishin pësuar rritje abuzive, duke shënuar tendenca rënieje për disa produkte.

Basha e konsideroi suksesin e deritanishëm inkurajues, sikundër nënvizoi se java e ardhshme është vendimtare për të parë nëse kjo qasje ka dhënë sukses të plotë.

“Kam besim të plotë, se me të njëjtin vetëndijësim që tregtarët këtu dhe i gjithë zinxhiri deri tek grosistët kanë reaguar ndaj këtij shqetësimi legjitim të qytetarëve, të cilin sot e përfaqëson Bashkia nëpërmjet inspektimeve të saj, do të vazhdojë edhe këtë javë dhe që çmimet do të mbeten në kuadrin e çmimeve normale”, tha Basha.

Kryebashkiaku shprehu edhe njëherë vendosmërinë e tij për të vazhduar me monitorimin dhe masat që parashikon ligji, në mënyrë që këtë vit të mbyllet kapitulli i abuzimit me çmimet në Tiranë.

“Në çdo rast, ne jemi të gatshëm të bëjmë punën tonë, nëpërmjet një pranie tashmë të dyfishuar në të gjithë tregjet, nga mëngjesi deri në darkë të të gjithë niveleve, duke përfshirë nënkryetarin Panariti, mua personalisht, në mënyrë që qytetarët e Tiranës të mos kenë rritjen e çmimit këtë vit dhe të mbyllim një kapitull turpi unik në rajon e për të hapur një kapitull të një marrëdhënie të re, midis konsumatorit dhe tregtarit, midis Bashkisë së Tiranës, tregjeve dhe konsumatorëve të Tiranës”,- theksoi Basha.

Të dhënat statistikore të çmimeve gjatë tre javëve të fundit kanë faktuar se vlerat e produkteve ushqimore nuk kanë ndryshuar. Ato kanë mbetur të njëjta me disa javë më parë, duke sjellë në treg praktikën e konsoliduar të ekuilibrimit të çmimeve me shumicë e pakicë të mallrave të shportës dhe fruta perimeve.

Të parët që konstatojnë praktikën e konsoliduar të ekuilibrimit të çmimeve janë tregtarët. Ata tregojnë se ka një rritje të ofertës në vend, pasi ka shumë mall të prodhuar, por dhe të importuar. Pikërisht për këtë arsye tregtarët e shumicës nuk po lëvizin vlerën e produkteve.

Fenomeni  i rritjes së çmimeve prej një kohe të shkurtër po përballet me masat e Bashkisë së Tiranës. Për të përmbushur këtë qëllim, Kryebashkiaku Lulzim Basha ka ngritur tashmë një task- forcë me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Drejtorinë bashkiake të Tatim- Taksave, Policinë Bashkiake, për të evidentuar subjektet që abuzojnë me çmimet. Ky grup pune po vijon aksionet intensive të monitorimit në tregjet me pakicë dhe shumicë të Tiranës, për t’i prerë rrugën spekulimeve. Në ndihmë të konsumatorëve, Bashkia po publikon çmimet me shumicë dhe pakicë të mallrave të shportës dhe fruta- perimeve.  Nisma e Bashkisë është përshëndetur edhe nga përfaqësues të biznesit, të cilët gjykojnë se marrja e masave për spekulimet që i bëhen çmimeve, nuk dikton rregullat e tregut të lirë, por mbron interesat e qytetarit.