Tiranë – Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, nuk ka komentuar humbjen e thellë në zgjedhje të mazhorancës së djathtë dhe largimin e kryeministrit Berisha nga posti i kreut të Partisë Demokratike.
I pyetur nga mediat nëse do të jetë një ndër kandidatët për të zënë vendin e lënë bosh në krye të selisë blu, Basha nuk ka kthyer asnjë përgjigje, por ka lënë gjithçka të paqartë.
Por, Basha nuk i ka kursyer lëvdatat për “shefin” e tij.
“Dorëheqja dëshmoi edhe njëherë dimensionin e këtij njeriu (Berishës), të cilin kemi patur fatin t’a kemi si udhëheqësin e PD-së, njeriun që përjetësoi shndërrimet më të mëdha në Shqipëri pas viteve ’90. Nuk ka provë më të mirë se kjo, sesa konfirmimi i linjës së gazsjellësit Trans-Adriatik, një projekt që kryeministri Berisha ka lobuar që në fillim të mandatit të parë qeverisës së tij”, u shpreh Lulzim Basha.
Komentet për largimin e kreut të PD-së, Sali Berisha, por edhe disfatën e rëndë në zgjedhjet e 23 qershorit, kanë munguar edhe nga eksponentë të tjerë të lartë të demokratëve.
Friday, 28 June 2013 00:01