Lajme Shqip Friday, 23 December 2011 08:00

Tiranë-Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, diskutoi dje me banorët e Njësisë Bashkiake numër 6 për projektbuxhetin e vitit 2012.

Kryebashkiaku prezantoi të gjitha projektet që do të mbështeten me fonde nga buxheti i vitit 2012.

Ky projektbuxhet parashikon trefishim të investimeve në Tiranë dhe shtrirje të tyre në të gjithë territorin. Në këtë buxhet Bashkia ka parashikuar fonde edhe për të paguar principalin e kredive të marra dhjetë vjet më parë.

“Ndonëse këtë vit buxhetor Bashkia e Tiranës do të nisë të paguajë principalin e kredive të marra dhjetë vite të kaluara, sërish ne, edhe pse kemi ulur taksat dhe tarifat, kemi një prognozë financiare, e cila në një skenar optimal, jo optimist, mundëson këto investime që përthyen në dy plane: një strategjik, në investime të mëdha dhe një plan kapilar, në investime që shtrihen kudo në qytet, kudo ku nis qyteti nga dera e çdo qytetari” tha Basha.

Kryebashkiaku ka bërë një prezantim të projekteve të Njësisë Bashkiake numër 6. Krahas infrastrukturës rrugore parashikohet edhe ndërtimi i një shkolle të re 9 vjeçare dhe rindërtim i një kopshti.

Kombinati është një nga zonat përfituese edhe nga projektet strategjike, si unaza apo linja e tramvajit.

“Në njësinë Bashkiake nr 6 ne kemi veçuar këto projekte komunitare: rikonstruksionin e rrugës “Hamdi Cenojmeri”, rrugës “Llambi Ziçishti”, me shtresa, kanalizimet, trotuarët dhe ndriçimin rrugor. Në infrastrukturën sociale do të kemi ndërtimin e kopshtit të ri nr. 21 si dhe ndërtimin e një shkolle 9 vjeçare të re, me tri kate afër ish Kombinatit të Tekstilit, me kapacitet prej 900 nxënësish, me te gjithë laboratorët, palestër dhe ambiente të gjelbëruara”, tha Basha.

Ndërsa duke folur për investimet publike strategjike, Basha tha se “do të kemi investime që do t’i japin impakt të drejtpërdrejtë në këtë zonë qytetit të tilla si unaza dhe vazhdimi i saj, nga Shkolla Teknologjike tek Qendra Kristal, e deri tek përgatitjet për përmirësimin e transportit publik me investimin me dy linja të Tramit, njëra prej të cilave jo vetëm kalon në këtë lagje, por ka një prej terminaleve kryesore”.

Në përgjigje të kërkesës së shtruar nga Kryetari i Njësisë Bashkiake, Krenar Cenollari, për bashkëpunim, Basha tha se ai është i hapur për të bashkëpunuar me të gjithë kryetarët e Njësive Bashkiake që kanë prioritet të axhendës së tyre qytetarin. (LajmeShqip.com)