Lajme Shqip Tuesday, 20 December 2011 09:00

Tiranë – Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, u konsultua të hënën për p/buxhetin 2012 me banorët e njësisë bashkiake numër 2, ku ndër të tjera premtoi lehtësi fiskale për biznesin që hap vende të reja pune.

Basha i njohu qytetarët me projektet që mbështet ky p/buxhet në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, përmirësimin e cilësisë së jetës dhe prioritetin kryesor, punësimin.

Për të nxitur punësimin, por dhe zhvillimin ekonomik të Tiranës, Basha bëri të ditur se në mbledhjen e Këshillit Bashkiak do të propozohen lehtësira fiskale për bizneset dhe kompanitë që hapin vende të reja pune.

“Në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak, përveç buxhetit, do propozoj dhe eliminimin e të gjithë taksave dhe tarifave vendore për të gjithë bizneset e reja që punësojnë 50 apo më shumë qytetarë të Tiranës nga lista e të papunëve në zyrën e punës në kryeqytet; uljen me 30% të taksës së ndikimit në infrastrukturë, për të gjithë sipërmarrjet që punësojnë mbi 75 qytetarë të Tiranës dhe që i punësojnë ata rishtazi”, tha kryetari Basha.

Në p/buxhet janë parashikuar 100 ha rikualifikime urbane; ndërtimi i rreth  65 mijë metër katror rrugë, prej të cilave 33 mijë metër katror do të jenë rrugë tërësisht të reja. Po ashtu, parashikohet rikonstruksioni i rreth 153 mijë metër katror rrugë ekzistuese dhe 79 mijë metër katror trotuare.

Vetëm në njësinë bashkiake nr.2 parashikohet ndërtimi dhe rikonstruksioni i 5 arterive kryesore.  Kryebashkiaku tha se në këtë njësi kemi ndjekur një metodologji, e cila na ka sjellë së bashku me përfaqësuesit e saj, në propozimet për ndërtim dhe rikonstruksion të pesë arterieve kryesore të kësaj njësie bashkiake dhe konkretisht të rrugës “Petro Nini Luarasi”, “Arben Broci”, “Bajram Allaraj”, si dhe rikonstruksionin e rrugës “28 Nëntori” dhe projekti i rikualifikimit urban për sheshin tek Pazari i Ri dhe sheshin “Avni Rustemi”, tha Basha.