Tiranë – Kandidati i mazhorancës për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha e cilësoi sot përfundimin e procesit të zgjedhjeve “Nnjë fitore të vërtetë për demokracinë”.
Në një deklaratë për mediet, një ditë pasi KQZ miratoi tabelën përfundimtare për Bashkinë e Tiranës, Basha tha se “kjo ishte një garë e ngushtë, por sidoqoftë këto janë zgjedhjet, me të cilat Tirana mund të ndihet vërtetë krenare”.
Duke e vlerësuar se i gjithë procesi i votimit dhe i numërimit në këto zgjedhje ishte i drejtë, transparent dhe i saktë, kandidati për kryebashkiak i mazhorancës tha se “është më e lehtë për demokracinë të funksionojë, kur kemi rezultate zgjedhore të thella, por demokracia vihet në provë kur rezultati është i ngushtë. Ne, nënshtruam emocionet tona dhe pritëm qetësisht, që çdo votë të numërohej dhe zëri i çdo qytetari të dëgjohej”.
Më tej Basha tha se: “Rezultati i shpallur tregoi se 81 bashkëqytetarë më shumë votuan për mua, por unë do të pres deri në përfundimin e procesit”.
Sipas tij, procesi duhet të vazhdojë në përputhje me ligjin dhe me besim të plotë tek institucionet dhe shteti ligjor.
“Pasi të jenë shqyrtuar të gjitha kërkesat nga të gjitha palët do të kryhet certifikimi përfundimtar i rezultatit. Më pas ne të gjithë duhet të bashkohemi për ta çuar Tiranën përpara shumë përpara ashtu siç ajo e meriton”, nënvizoi Basha.
Ai vuri në dukje se interesi madhor i këtyre zgjedhjeve është më i madh se sa çështja se kush fiton apo humbet.
“Në këtë moment emocionesh të forta të të dyja palëve,ju ftoj për një refleksion të qetë, për sa më shumë qetësi dhe respekt ndaj institucioneve, shtetit ligjor sepse kjo është më e mira që mund të bëjmë së bashku për qytetin tonë”, përfundoi kandidati i mazhorancës, Lulzim Basha.
Tuesday, 24 May 2011 14:22