Tiranë- Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka bërë të ditur se e djathta ka depozituar në Kuvend 39 amendamente për projektbuxhetin dhe paketën fiskale. Gjatë një konference për shtyp Basha hodhi akuza ndaj qeverisë “Rama-Meta”, duke i cilësuar mashtrime, premtimet e bëra gjatë fushatës. Ai tha se Rama gënjeu kur tha se do të ulë taksat, kur në të vërtetë i rriti dhe i detyroi qytetarët të paguajnë më shumë. Kreu i PD-së tha se, Rama i ka marrë këto vendime në mënyrë të fshehtë, duke mos qenë transparent me popullin.
“Konceptet tona për zhvillimin ekonomik mbështeten në vlerat e lirisë, ndryshe nga konceptet regresive të paraqitur nga Rama-Meta dhe që kanë fshirë nga fjalori fjalën zhvillim. Asnjë kryeministër në botë nuk do të guxonte të gënjente për uljen e taksave, po të kishte një miligram të vërtetë se ka ulur taksën e fitimit, sipërmarrja dhe unë do t’i thurnim lavde këtij çlirimtari, por sipërmarrja është në revoltë të trefishtë, se rritja e 50% e taksës së fitimit, arbitraritet fyes, e poshtëron sipërmarrjen duke e akuzuar se paguan nën dorë për të përligjur rritjen e taksës”, tha ai.
“Ne nuk pretendojmë ta detyrojmë shumicën të votojë atë që nuk e ka kulturë, program, vizion, PD-ja ka depozituar 39 amendamente për buxhetin dhe paketën fiskale, mbi dy parime; interesi publik, premtimet elektorale të Ramës që e sollën në pushtet, premtimet dhe mbajtja e tyre janë kontrata e çdo qeveri me zgjedhësit”, u shpreh Basha.
Basha ka numëruar të gjitha amendamentet e depozituara nga Partia Demokratike për paketën fiskale dhe buxhetin, ilustruar me premtimet e Ramës gjatë fushatës elektorale.
“Partia Demokratike ka propozuar heqjen e TVSH-së për ushqimet bazë të shportës,legalizimin falas për zonat informale, shëndetësi falas me zero kontribute për qytetarët, sigurimi i vaditjes dhe kullimit për çdo metër tokë, heqjen e akcizës së naftës për fermerët si dhe heqjen e TVSH-së për imputet në bujqësi”, theksoi lideri i të djathtëve.
Ai paralajmëroi për protesta të reja kundër masave të marra nga qeveria, e cila sipas Bashës po e zhyt vendin në krizë./shekulli/
Friday, 27 December 2013 16:24