Demokratët e Tropojës mirëpresin sot liderin e Partisë Demokratike. Qyteti verior feston bashkë me LulzimBashën 23-vjetorin e krijimit të PD-së së Tropojës. Aktiviteti do të zhvillohet në orën 11:30, në Pallatin e Kulturës së qytetit Bajram Curri. Tropojanët prej ditësh kanë nisur përgatitjet për pritjen eLulzim Bashës në qytetin e tyre, duke i rezervuar të njëjtën pritje që i bënin edhe birit të tyre, Sali Berisha, liderit historik të PD-së.
Basha, prej javësh po merr pjesë në kremtimet e 23-vjetorit të PD-së në disa qytete të vendit, ndërkohë që dje ishte në Fier dhe pas Tropojës do të jetë në Vlorë, në Elbasan, në Shkodër, në Pogradec, në Berat, në Kavajë etj. Nga qyteti i Fierit, kreu i demokratëve, Lulzim Basha sulmoi qeverisjen e të majtëve, duke e akuzuar për dështim në ruajtjen e rendit dhe rritje të çmimeve. Në aktivitetin e organizuar me rastin e 23-vjetorit të themelimit të PD-së në Fier, Basha deklaroi se demokratët do ta kundërshtojnë qeverisjen e kryeministrit Rama, pasi siç tha ai, “PD-ja nuk do të lejojë që kriza të zërë poshtë shqiptarët”.
Ai siguroi se PD-ja nuk do t’i lërë vetëm qytetarët në revoltën kundër rritjes së çmimeve dhe papunësisë.
“E ndjejmë se një frymë revolte po ngrihet, revoltë kundër mashtrimeve elektorale, revoltë kundër çmimeve, kundër shtrenjtimit të jetesës, kundër pasigurisë, kundër mungesës së perspektivës. Të mos mendojë njeri se ne, PD, opozita shqiptare do të lejojmë që kriza të zërë poshtë vendin e t’u marrë frymën shqiptarëve pa treguar një për një përgjegjësinë e atyre që e kanë kurdisur me arrogancën e tyre karakteristike, këtë krizë. Të mos mendojë njeri se ne, PD do t’i lemë qytetarët vetëm, pa mbështetje, viktima të çmimeve stratosferike, të papunësisë, të arrogancës qeveritare. Të drejtat njerëzore dhe dinjiteti i qytetarëve shqiptarë janë një interes politik madhor i PD-së, që përligj çdo aksion politik në mbrojtje të tyre”, deklaroi Basha.
Më tej kreu i PD-së u bëri thirrje të gjithë demokratëve që të bashkohen për ringritjen dhe fitoren e PD-së.
“Ne besojmë në fuqinë e alternativës sonë, ringritja dhe rritja jonë e fuqishme duhet të fillojë pikërisht këtu, në Fier, që nuk ka arsye të perceptohet më si bastion i një të majte arrogante, zhgënjyese dhe të pashpresë. Të jemi bashkë më të bashkuar se kurrë, nga themeluesit e parë, anëtarët e parë të PD-së. Të hapim partinë, të integrojmë në parti të gjitha grupet, shtresat dhe ndjeshmëritë, përfshi ato individuale që duan të kontribuojnë në PD, që rezonojnë me vlerat e saj popullore dhe intelektuale. Së bashku për të hapur një faqe të re, së bashku për ringritje dhe fitoren e demokracisë së re”, u shpreh kreu i opozitës. /albeu/
Friday, 10 January 2014 12:13