Lajme Shqip Wednesday, 03 July 2013 14:16

Tiranë – Pas dorëheqjes së kryeministrit Sali Berisha, që erdhi pas humbjes së demokratëve në zgjedhjet parlamentare të muajit të shkuar, partia po nxiton për të zgjedhur pasuesin e tijNdërkohë që gara për lidershipin e Partisë Demokratike është nxehur, kandidati i pari që prezantoi ofertën e tij për këtë pozicion ishte ministri i Transporteve, Sokol Olldashi.

“I hyj kësaj gare i vendosur për të fituar përgjegjësinë për të përfaqësuar 100 mijë anëtarë të Partisë Demokratike me qëllimin e rindërtimit të themeleve morale, mbi të cilat do krijojmë së bashku opozitën dhe do rikthehemi si mazhorancë,” tha Olldashi në një deklaratë, raporton BIRN.

Ai do të garojë përballë kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

Berisha mori përgjegjësitë e humbjes më 23 qershor dhe shpalli dorëheqjen nga drejtimi i Partisë Demokratike në një fjalim të mërkurën, pas fitores së socialistëve.

Kryeministri në largim e ka kontrolluar partinë me grusht të hekurt që kur u krijua në vitin 1991, dhe dorëheqja e tij hap një kapitull të ri për demokratët, që tani janë në opozitë.

Sipas një kabllogrami të gushtit 2009 nga ambasada amerikane në Tiranë, publikuar nga ËikiLeaks, si Olldashi, ashtu edhe Basha, janë mes politikanëve shqiptarë që dyshohet se kanë lidhje me krimin e organizuar.

“Olldashi, ministri aktual i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, si dhe deputet i Fierit, dyshohet për trafik mallrash dhe narkotikësh,” thuhet në kabllogram.

“Provat rrethanore e lidhin Olldashin dhe ministrin e Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj në një skemë për lirimin e të burgosurve për t’i përdorur si kërcënim në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009,” thekson më tej kabllogrami.

Ambasada amerikane po ashtu citonte një burim brenda Partisë Socialiste, që akuzon Bashën se kur ishte ministër i Jashtëm “ishte përfshirë në lirimin nga burgu të një krimineli famëkeq në Elbasan, në këmbim të mbështetjes nga familja e kriminelit”.

Të dy, Basha dhe Olldashi kanë hedhur poshtë akuzat si shpifje.

Basha, që ka shërbyer si ministër i Transportit në vitin 2007, përpara Olldashit, është akuzuar për shpërdorim të detyrës në lidhje me rolin e tij në tenderin për ndërtimin e autostradës Shqipëri- Kosovë, që u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë qindra miliona euro.

Çështja është pushuar nga Gjykata e Lartë në vitin 2009 për shkaqe procedurale.