Lajme Shqip Friday, 16 December 2011 09:20

Bruksel – Vitin e ardhshëm nuk pritet vendosja e regjimit pa viza midis Bashkimit Evropian dhe Rusisë, deklaroi dje kryetari i Komisionit Evropian, Zhoze Manuel Baroso, i cituar nga mediat ruse.

“Vitin e ardhshëm kjo nuk do të ndodh. E kemi vendosur këtë qëllim si një perspektivë më të largët. Puna jonë vazhdon dhe shpresoj gjatë ditëve dhe muajve të ardhshëm, do të kemi rezultate konkrete”, tha Baroso në Bruksel, ku dje u mbajt edhe takimi i kreut BE-Rusi.

Në konferencën për shtyp pas takimit, Baroso shtoi se të dyja palët dje kanë përcaktuar një listë me hapat e përbashkët për kalimin drejt regjimit pa viza. Përmbushja e plotë e këtyre hapave për të cilat kanë rënë dakord, do të zbulojë “mundësinë e negociatave për vendosjen e regjimit pa viza”, nënvizoi Zhoze Manuel Baroso.

Në listën e parashikuar janë përfshirë edhe garancitë për sigurinë e dokumenteve personale, si dhe masat për ballafaqimin me imigrimin joligjor.