Lajme Shqip Thursday, 05 January 2012 13:00

Pjesa dërmuese e banorëve të veriut të Kosovës, edhe në vitin 2012 është duke jetuar nën ankth, ndërkohë që strukturat udhëheqëse të tyre janë të përçara mbi të ardhmen e referendumit, ku dhe rojtarët e barrikadave tashmë në numër më të pakët kanë mbetur të hutuar.

“Kemi frikë për jetën e fëmijëve tani; nuk ka siguri për fëmijët që t’i dërgojmë në shkolla,” thotë një banor i rrugës ‘Anka Spahiç’ në veri të Mitrovicës. “E kam vajzën në shkollën e mesme të vitit të tretë dhe kam shumë probleme! Nuk di se kujt t’i drejtohem për ndihmë,” thotë një tjetër banor i veriut të Mitrovicës i nacionaliteti serb.

“Kjo pjesë e Kosovës ka mbetur në duart e kriminelëve dhe ata po vendosin për të gjitha. Nëse iu kundërvihesh do të kesh shumë pasoja,” thotë me kusht të anonimitetit nga frika e ndonjë hakmarrjeje njëri prej banorëve. “Të gjithë ata që na udhëheqin, pa dallim, janë kriminelë. Policia e Kosovës nuk po funksionon, ajo e serbisë është direkte e lidhuar me krimin dhe ne kemi mbetur në duar të kriminelëve. Kam frikë për vajzen time, ajo tani është rrituar dhe mund të kem edhe probleme. Kemi shumë raste që në veri janë vrarë njerëz të ndryshëm dhe deri tani nuk është arrestuar askush,” ka thënë ai.

Ai ka përmenduar rastin e dy vajzave që disa vite më parë janë vrarë apo janë hedhuar nga kati i gjashtë ose i shtatë dhe kanë vdekuar. Siç tregon ai, njëri prej rasteve ka ndodhuar kur shoferi i Oliver Ivanoviçit ka vrarë një vajzë në katin e 7 të ndërtesës ku ka qenë ‘Koshtana’, dhe një rast tjetër është kur vëllai i liderit të KNS-së Nebojsha Joviçit, Predrag Joviç, i njohur me nofkën ‘Pagi’ ka hedhuar një vajzë nga kati i 6-të i ndërtesës mbi ‘Optike’ dhe se deri sot nuk janë përgjigjur për këto vrasje para drejtësisë, edhe pse vrasja e këtyre dy vajzave është një sekret publik që e di i gjithë veriu i Kosovës.

Në anën tjetër të ashtuquajturët liderët politik të veriut të Kosovës, 4 kryetar të komunave si dhe ai i Qarkut janë të ndarë dhe të përçarë plotësisht. Deri sa Kryetari i komunës së Leposaviqit Branko Niniç dhe ai i Qarkut të Mitrovicës Radenko Nedelkoviç si dhe Ministri i Kosovë në Qeverinë e Serbisë Goran Bogdanoviç, janë në një vijë dhe kundër mbajtjes së referendumit që komunat kanë thirrur për 14 dhe 15 shkurt.

Në anën tjetër pro referendumit janë përcaktuar Sllavisha Ristiç kryetar i Zveçanit, ai i Mitrovicës Kërstimir Pantiç, Dragisha Milloviç i Zveçanit, si dhe mbështëtësit e tyre Millan Ivanoviç dhe Marko Jakshiç nga KNS-ja.

“E gjithë kjo që po ndodhë nuk është në të mirë të popullatës së thjeshtë serbe në veri, por kjo po bëhet për qëllime të tyre, për interesat e tyre kriminale dhe ato të biznesit. Të gjithë këta udhëheqës duhet të shkojnë në burg për krimet që i kanë bërë popullatës serbe në veri,” ka thënë burimi i gazetës nga veriu që nuk ka dashur të identifikohet.

Ndërkohë, rojtarët e barrikadave po bëjnë ende punën e tyre 24 orë në ditë. “Unë personalisht kam marrë pjesë në ruajtjen e barrikadave,” thotë banori i veriut të Mitrovicës dhe shton se një punë të tillë nuk e ka bërë nga dëshira por nga frika dhe kërcënimet se nëse nuk do të dilte rojë në barrikada do ta nxirrnin nga puna dhe do ta quanin tradhtar.

“Tani rojtar të barrikadave ka shumë më pak që mbas arrestimit të Veselinoviçëve. Njerëzit i kanë hapur sytë dhe e kanë shumë të qartë se edhe ata në të ardhmen do të arrestohen dhe me këtë rast kanë hequr dorë nga rojtaria e barrikadave. Tek barrikadat tani kanë ngelur vetëm njerëzit që kanë bërë vepra të rënda kriminale dhe që në rast se këtu shtrihet ligji ata do të arrestohen për krimet që kanë bërë. Rojtarë kriminel, siç i quan burimi, që paraqiten gjoja si patriot dhe se po na ruajnë neve qytarëve serb. Ata në fakt po ruajnë veten e tyre dhe kjo gjëndje po u shkon shumë për shtat.”