Tiranë – Vrojtimi periodik i aktivitetit kreditues që kryhet nga Banka e Shqipërisë, për tremujorin e parë të vitit 2011, tregoi se standardet e kredisë vijuan të lehtësohen si për bizneset ashtu dhe për individët. Lehtësimi i standardeve është aplikuar kryesisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, pasi standardet për kredinë dhënë korporatave kanë mbetur të pandryshuara nga tremujori i katërt i vitit 2010.
Ndërkohë, sipas Bankës së Shqipërisë standardet e aplikuara në kreditë dhënë individëve vijojnë të jenë të lehtësuara edhe pse në një shkallë më të ulët krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Sipas qëllimit të përdorimit, standardet e kredisë me qëllim financimin e konsumit dhe blerjen e banesës kanë vijuar tendencën lehtësuese të nisur që prej tremujorit të katërt të vitit 2010.
Faktorët me kontributin kryesor në lehtësimin e standardeve të kredisë për bizneset gjatë tremujorit të parë të vitit 2011, janë konkurrenca në sistemin bankar dhe niveli i lartë likuiditetit të bankave. Politika lehtësuese e bankave për kredinë dhënë bizneseve është realizuar kryesisht nëpërmjet rritjes së madhësisë së kredisë së miratuar. Frenimi i lehtësimit të standardeve të kredisë për individët është zbatuar kryesisht nëpërmjet uljes së maturitetit maksimal të kredisë, raportit këst ndaj të ardhurave si dhe rritjes së kërkesës për kolateral.
Në tremujorin e parë të vitit 2011, kërkesa e bizneseve ka mbetur pothuaj e pandryshuar nga tremujori i kaluar. Në të njëjtën linjë dhe me pritjet e shprehura në vrojtimin e kaluar, kërkesa e individëve për kredi është vlerësuar në rritje nga ekspertët e bankave.
Ekspertët e bankave nuk presin lehtësim të mëtejshëm të standardeve të kredisë për bizneset gjatë tremujorit të dytë të vitit 2011. Standardet e kredisë për individët do të vijojnë të ruajnë pothuajse të njëjtin nivel lehtësimi në tremujorin e ardhshëm.
Ndërkohë, pritjet për kërkesën gjatë tremujorit të dytë të vitit 2011, si nga bizneset ashtu edhe nga individët, janë pozitive.
Wednesday, 25 May 2011 14:35