Lajme Shqip Thursday, 15 March 2012 19:48

Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim koordinatoren rajonale për Evropën Juglindore të Bankës Botërore, Jane Armitage dhe menaxherin e Zyrës në Kosovë të Bankës Botërore, Jan Peter Olters.

Presidentja Jahjaga e vlerësoi ndihmën që Banka Botërore i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Kosovës, si një institucion ndërkombëtar dhe partner i rëndësishëm. Ajo tha se ndihma e Bankës Botërore për Kosovën ka qenë shumë e dobishme për sektorët e ndryshëm të ekonomisë dhe për ndërtimin e kapaciteteve vendore si dhe në përmirësimin e mjedisit të biznesit.

Ajo tha se anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar ka ndihmuar në njohjen ndërkombëtare të vendit dhe i ka hapur Kosovës rrugën për anëtarësim në organizatat e tjera rajonale dhe ato ndërkombëtare.

Përfaqësuesja e Bankës Botërore, Jane Armitage, theksoi se Banka Botërore do të vazhdojë ndihmën për Kosovën në fusha të ndryshme e posaçërisht në atë të bujqësisë, arsimit, por edhe të energjetikës përmes programeve të saj.

Ajo tha se Banka Botërore do të jetë e pranishme përmes programeve të ndryshme në Kosovë, por edhe në rajon për të ndihmuar përballjen me sfidat e natyrave të ndryshme.