Lajme Shqip Wednesday, 14 October 2015 10:43

Heqja e barrikadës në lumin Ibër në Mitrovicë do të fillojë të largohet që nga nesër. Kështu kishte premtuar kryetari i Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri, duke dhënë si datë të fundit 15 tetorin, ku edhe do të bëhet largimi i të ashtuquajturit “Parku i Paqes”.

Ai i ka garantuar qytetarët e Mitrovicës se kjo do të jetë data kur edhe do të fillojë heqja e barrikadës, raporton lajmi.net.

Ndonëse ka shkrime që janë duke e demantuar se nesër do të ndodhë një gjë e tillë, Bahtiri në një prononcim për lajmi.net tha se nesër është koha kur duhet të fillojë heqja e barrikadës.

“Nuk kam njoftime që do të shtyhet heqja e barrikadave. Sipas të gjitha njoftimeve që i kam deri më tani, nesër është koha kur duhet të fillojë heqja e barrikadës. Nesër do të bëhet edhe rivitalizimi i urës, pra nesër është definitive”, thotë ai.

Ai kujtoi se për këtë çështje është edhe marrëveshja e nënshkruar dhe thekson se i përmbahet marrëveshjes. Bile ai kërcënoi se nëse nuk fillon zbatimi i marrëveshjes nesër, do të dalë kundër katër marrëveshjeve të arritura në Bruksel, ndërsa pranoi se do t’i bashkohet opozitës nëse ndodhë diçka e tillë.

“Nëse shtyhet veç një ditë, unë do të dalë publikisht dhe kam me bo gjithçka që është e mundur për të kundërshtuar katër marrëveshjet dhe do t’i bashkëngjitëm opozitës”, tha Bahtiri për lajmi.net.

“Nuk lëshoj pe në atë drejtim dhe nëse kjo nuk fillon të zbatohet kanë me ra poshtë katër marrëveshjet”, shtoi më tej ai.

Ndryshe, ura kryesore mbi lumin Ibër është mbyllur për qarkullimin e automjeteve që nga korriku i vitit 2011, pasi serbët vendosën barrikadën për të kundërshtuar në këtë mënyrë prezencën e institucioneve të Kosovës në atë pjesë.