Lajme Shqip Wednesday, 25 May 2011 15:02

Prishtinë – Një grup azilantësh nga Kosova në Belgjikë, i shkruan letër të hapër Hashim Thaçit. Ata kundërshtojnë kërkesën e Qeverisë së Kosovës bërë vendeve të BE-së për riatdhesimin e azilantëve. Portali ynë e sjellë letrën të plotë.

Të shqetësuar me kërkesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës, në adresë të vendeve të BE-së për refuzumin e statusit të aizalantit shtetasve kosovarë dhe për riatdhesimin e tyre, një grup kosovarësh, azilantë në Belgjikë, i kanë drejtuar të mërkurën letër të hapur kryeministrit të Reoublikës së Kosovës, Hashim Thaçit, në dijeni edhe të Presidentes së Republikës, Atifete Jahjaga.

Portali Lajmeshqip.com, e sjellë të plotë në vijim letrën e hapur:

 

Kryeministrit të Kosovës, Zotit Hashim Thaçi

Për dijeni:

Presidentes Atifete Jahjaga

 

I nderuar Zoti Kryeministër!

Jemi një grup shtetasish të Republikës së Kosovës, azilkërkues në Mbretërinë e Belgjikës. Ndodhemi këtu në kohë të ndryshme që shkojnë edhe deri në 5 – 6 vite (në pritje të dokumenteve), që jetojmë nëpër kampe, të cilat na i ka mundësuar shteti belg.  Arsyet që kemi vendosur të kërkojmë azil kanë të bëjnë me vështirësitë me të cilat përballet jeta në Kosovë. (rastet janë të ndryshme, kryesisht për arsye politike, ekonomike, mbrojtje jete, etj.)

Nga mediat jemi njohur me faktin se qeveria e Kosovës iu ka kërkuar shteteve anëtare të BE-së refuzimin e azilit dhe rikthimin e të gjithë azilantëve në vendlindje. Kjo kërkesë e juaja ka nisur të zbatohet nga autoritetet e vendeve të BE-së, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e azilantëve po grumbullohen në kampe të mbyllura për t’u deportuar më pas forcërisht drejt Kosovës.

Zoti Kryeministër,

po e nisim së pari me ata shtetas kosovarë që kanë paraqitur kërkesën për azil për arsye ekonomike. Prej shume kohësh dëgjojmë nga juve për rritje të mirëqënies dhe standarteve të jetesës në Kosovë. Nëse kjo do të ishte e vërtetë atëherë si e shpjegoni Juve Zoti Kryeministër faktin që një numër gjithnjë në rritje qytetarësh kosovarë i drejtohen çdo ditë qendrave të azilkërkuesëve. Të gjithë të varfër, të zhytur në borxhe (deri edhe paratë e udhëtimit), braktisin Kosovën në kërkim të një jete pak më ndryshe, në përpjekje për të dalë nga varfëria mesjetare.

I nderuar Kryeministër,

besojmë se jeni i ndërgjegjshëm që të ardhurat kryesore në shtetin e Kosovës sigurohen pikërisht nga emigrimi. Të paktën këto fakte i ka publikuar qeveria që ju drejtoni nëpërmjet institucioneve. Nuk arrijmë të kuptojmë logjikën tuaj për të ndërprerë apo pakësuar këtë burim deciziv për ekonominë e vendit tonë. Kuptohen edhe pasojat ekonomike mbi familjet tona.

Zoti Kryeministër,

Një numër i konsiderueshëm azilkërkuesish janë ish-luftëtarë të UÇK-së, të cilët dihet mirë se çfarë kushtesh dhe situatash u ka krijuar politika në Kosovë. Lutemi të mos vazhdoni, në këtë mënyrë shtimin e problemeve për ta.

Se fundmi, zoti kryeministër, do të permendim rastet  e atyre personave, jeta e të cilëve është vënë në rrezik në vendin e tyre të lindjes. Janë të kuptueshme pasojat për ta në rast kthimi.

Ju përshëndesim, duke mbetur me shpresën se Ju dhe qeveria e drejtuar prej jush do të tërhiqni pas këtë kërkesë të dëmshme për ne dhe pasojat negative që sjell në rast zbatimi, përfundon letra e një grupi azilkërkuesish nga Kosova në Belgjikë, adresuar kryeministrit Hashim Thaçi.