Tiranë – Tenderi për mirëmbajtjen e rrugës së Kombit Durrës-Kukës, do të zhvillohet në muajin tetor, pas mbarimit të sezonit turistik. Ministria e Transporteve ka vendosur që turistët që do t’i drejtohen bregdetit shqiptar nuk do të paguajnë këtë vit për shfrytëzimin e autostradës Durrës-Kukës.
Pas kësaj, çdokush që do të kalojë në rrugën Durrës-Kukës do të paguajë një taksë, e cila do të përcaktohet në varësi të ofertave më të mira. Zëvendësministri i Transporteve, Ernest Noka, është shprehur për mediat se janë 5 kompani të huaja që kanë kaluar fazën parakualifikuese nga ministria e Transporteve.
Referuar dokumentacionit të tenderit, koncesionari ka detyrim të investojë 80 milionë euro dhe do të jetë përgjegjës për operimin dhe mirëmbajtjen e autostradës si dhe për operimin dhe mirëmbajtjen e tunelit të Thirrës. Kompania koncesionare që do të fitojë tenderin do të ndërtojë një tra doganor te tuneli i Thirrës dhe parashikohet t’i marrë 5 euro çdo automjeti personal dhe 10 euro çdo kamioni, si taksë për mirëmbajtjen e rrugës.
Kompania konsulente i sugjeron qeverisë që koncesionmarrësi nuk do të ketë për detyrë të mbulojë shpenzimet kapitale apo riparimet e mëdha. Për sa i përket projektit, koncesionari sipas dokumentit të ministrisë duhet të sigurojë mbarëvajtjen dhe të mirëmbajë gjithë autostradën, duke përfshirë këtu tunelin e Thirrës. Gjithashtu duhet të ndërtojë dhe të vërë në funksionim një sistem pagese për të mbledhur të ardhura nga automjetet. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 09 May 2012 15:03