Tiranë – Autoriteti i Konkurrencës ka gjobitur 20 prodhues të bukës në qytetin e Vlorës për shkelje të ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”.
Prodhuesit e bukës në qytetin e Vlorës në muajin mars kishin vendosur që çmimi i bukës do të rritej me 20 lekë, si dhe kishin hartuar një vendim i cili u shpërnda në të gjitha furrat e bukës që operojnë në qytet. 16 prej subjekteve u gjobitën me 10 mijë lekë, ndërsa katër subjektet, që nuk kishin zbatuar masat e përkohshme të Autoritetit të Konkurrencës, u gjobitën me 20 mijë lekë.
Gjithashtu, Komisioni i Konkurrencës i ka rekomanduar Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve të evidentojë shkallën e lartë të informalitetit dhe përdorimin e kasave fiskale tek subjektet që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në prodhimin dhe tregtimin e bukës në qytetitn e Vlorës.
Gjatë inspektimeve rezultoi se shumë subjekte nuk deklarojnë saktë shitjet e kryera duke mos lëshuar kuponin tatimor për të gjitha shitjet. Sipas Autoritetit, kjo sjellje përbën konkurrencë të pandershme ndaj prodhuesve të bukës që i deklarojnë saktë të gjitha shitjet e kryera, si dhe deformon analizën e konkurrencës së këtij tregu. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 28 September 2011 16:11