Tiranë – Kontrolli i Lartë i Shtetit, në përfundim të auditimit në Autoritetin e Aviacionit Civil, ka konstatuar një sërë parregullsish dhe mangësish, duke sugjeruar dhe masat përkatëse për to.
KLSH ka depozituar dhe dy kallëzime penale në organet e Prokurorisë për ish-drejtorin dhe zv/drejtorin Ekzekutiv në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor. KLSH, përmes një njoftimi për shtyp, bën të ditur se grupi i auditimit ka konstatuar dhe raportuar një sërë mangësish, parregullsish dhe shkelje të dispozitave ligjore në fuqi, madje dhe me pasojë dëm ekonomik. “Zbulimet dhe përfundimet e këtij kontrolli tregojnë se menaxhimi dhe administrimi nga ana e stafit drejtues dhe punonjësit e ngarkuar të AAC është shoqëruar në mjaft raste me mosrespektim dhe moszbatim të akteve ligjore, nënligjore dhe rregullative në fuqi”, thuhet ne njoftimin per shtyp.
KLSH ka rekomanduar 32 masa organizative nga më të ndryshmet, duke filluar nga shfuqizimi i vendimeve të Këshillit Drejtues, hartimi dhe miratimi i programeve të studjuara ekonomike financiare, zbatimi me rigorozitet i procedurave dhe përcaktimeve ligjore për prokurimin publik, etj.
Lidhur me masat disiplinore, KLSH ka rekomanduar fillimin e procedures për “largim nga puna në Autoritet” për zv/Drejtorin Ekzekutiv, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor (i autorizuar) dhe paralajmërim me shkrim për largim nga puna me afat shlyerje 1 vit e “vërejtje me shkrim” me afat shlyerje 6 muaj për 26 punonjës. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 19 June 2012 17:50