Shkup – Autonomia politiko-territoriale për serbët në veri të Kosovës mund të ketë reperkusione edhe ndaj Maqedonisë. Krejt kjo nëse serbët në veri të Kosovës fitojnë autonomi politiko-territoriale e cila njëherësh do ngjallte domino-efektet e mundshme edhe te fqinjët, konkretisht Maqedoni. Për rreziqet ka folur edhe i pari i BDI-së Ali Ahmeti pas një tubimi me bashkatdhetarët në Vjenë të Austrisë, sipas të cilit po u nda Kosova, rreziku do të jetë shumë i madh dhe sipas të cilit, kriza e konflikteve mund të rikthehet në Ballkan, në rast se nuk investohet në paqe dhe mirëbesim. 
“Në këtë rast si shembull konkret është Kosova si çështje e ndjeshme. Po u ndryshuan kufijtë e Kosovës dhe po u nda një pjesë e saj, u`a them se rreziku është shumë i madh, sepse askush nuk mund të jap garanca se efekti domino nuk mund të ndodhë edhe në Maqedoni”, ka nënvizuar Ahmeti, duke kërkuar që më shumë të investohet në paqe dhe mirëbesim midis popujve në Ballkan.
Madje, ekspertët dhe analistët politik nuk besojnë se do të vjen deri te autonomia territoriale dhe politike për serbët në veri të Kosovës, por se të drejtat e tyre do të jenë konform planit të Ahtisarit dhe të njëjtat nuk do të rrezikojnë integritetin shtetëror të Kosovës. Por, gjithashtu ekspertët paralajmërojmë se nëse eventualisht vjen deri te ndonjë statusi special apo edhe te më e keqja shkëputja e një pjese të Kosovës duke u imponuar vetëm vullneti i njërës palë, gjegjësisht asaj serbe atëherë kjo mund të ketë ndikim të madh edhe tek shqiptarët në Maqedoni.
Kjo, sipas tyre, do të thotë se shqiptarët mund ta rikthejnë Iliridën, gjegjësisht kërkesën për autonomi politiko-territoriale të shqiptarëve të Maqedonisë, apo të njohur si Referendumi për Iliridën që u mbajt në vitin 1991. Referendumi për Iliridën u mbajt si kundërpërgjigje ndaj Referendumit për Maqedoninë e pavarur që u bojkotua më 1991 nga shqiptarët për shkak të kushtetutës që ishte diskriminuese për ta.
Megjithatë, ky skenar sipas ekspertëve nuk ka mbështetje meqë faktori ndërkombëtar i ka bërë me dije Beogradit se nuk ka ndryshim të kufijve dhe se serbët në Kosovë duhet ta respektojnë shtetësinë e Kosovës. Eksperti për çështje të sigurisë, Stevo Pendarovski thotë se Plani i Ahtisaarit për komunat serbe në veri parasheh një decentralizim asimetrik që do të thotë se qëllimisht u janë dhënë më shumë të drejta serbëve në Kosovë që të mos kërkojnë shkëputjen nga Kosova. 
“Ky plan parasheh që Mitrovica e Veriut dhe tre komunat tjera me shumicë serbe në veri të Kosovës duhet të kenë më shumë të drejta se sa komunat me shumicë shqiptare. Në planinin e Ahtisaarit parashihet që këto komuna mund të zhvillojnë lidhje speciale me Beogradin, dhe kjo është bërë për të mos kërkuar zgjidhje jashtë Kosovës. Nëse shkohet më dhënien e të drejtave politike të serbëve në veri ajo do të përfundojë maksimalisht me atë që parasheh plani i Ahtisarit, lidhje speciale me Beogradin, por pa e rrënuar integritetin e Kosovës si shtet”, thotë eksperti për çështje të sigurisë Stevo Pendarovski. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 13 November 2012 13:50