Lajme Shqip Friday, 27 May 2011 19:43

Prishtinë – Baronesha Catherine Ashton, Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë dhe Zv/presidente e Komisionit Evropian, pas një dreke pune në qytetin e Prizrenit me kryeministrin Hashim Thaçi, tha se kishin pasur diskutime shumë të këndshme dhe takim pune të frytshëm.

“Ne u përqendruam në të ardhmen kyçe të Kosovës si pjesë të Bashkimit Evropian, një vizion yni i përbashkët të cilin dëshirojmë ta shohim duke u bërë realitet”, theksoi baronesha Ashton në konferencën për shtyp.

“Ne, natyrisht diskutuam edhe për çështje që ju interesojnë, liberalizimi i vizave, tregtia, roli i EULEX-it, rëndësia e mbështetjes së tyre dhe kemi konsideruar edhe mënyrën se si të ecim në rrugën para, me qëllim që së bashku të arrijmë sa më shumë që të jetë e mundur”, theksoi ajo.

Baronesha Ashton, e cila paradite në Prishtinë u prit nga kryeministri Thaçi si dhe u takua me zv/kryeministren Edita Tahiri, udhëheqëse e delegacionit të Kosovës në dialogun teknik me Serbinë, ministrin e Jashtëm Enver Hoxhaj dhe ministren e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, gjatë konferencës për shtyp në Prizren, vlerësoi angazhimet në procesin e dialogut.

“Zotëri Kryeministër, kam kënaqësinë t’ju ftoj të vini në Bruksel, ku shpresoj se do të jem në gjendje t’ua kthej këtë mikpritje të mrekullueshme që më bëtë sot dhe po ashtu të vazhdojmë edhe dialogun”, perfundoi deklaratën e saj.

Ndërsa, kryeministri Thaçi vlerësoi se “ishte një takim i shkëlqyer, shumë produktiv për të ardhmen evropiane të Republikës së Kosovës, kjo drekë pune në qytetin multietnik, multikulturor, në Prizren”.

“Ne jemi duke punuar maksimalisht për implementimin e të gjitha kritereve demokratike, qoftë në politikë, legjislacion, ekonomi, që të përshpejtojmë procesin e të ardhmes së sigurt evropiane të Kosovës”, theksoi kryeministi Thaçi.

“Ky është vullneti ynë, i gjithë qytetarëve të vendit, ky është vizioni ynë politik. Kosova është vend evropian, me të ardhme të sigurt evropiane”, u shpreh ai.

Kryeministri Thaçi bëri të ditur se e kishte informuar baroneshën Ashton “për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me të gjitha vendet e rajonit, me Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë, e gjithashtu edhe zotimin tonë, vazhdimin e suksesshëm të dialogut për çështje praktike”.

“Ne kemi besim se vetëm një bashkëpunim i mirë rajonal mes Kosovës dhe Serbisë, nje fqinjësi e mirë, hap të ardhme të sigurt të vendeve tona në Bashkim Evropian”, theksoi kryeministri Thaçi. “Prandaj, edhe zgjidhja e çështjeve praktike kërkon një model evropian”, shtoi ai.