Lajme Shqip Tuesday, 20 December 2011 10:45

New York – Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka dënuar mungesën e tolerancës fetare, por për herë të parë nuk dërgoi thirrje të drejtpërdrejta deri tek vendet-anëtare që të shpallin si joligjor mallkimin e religjioneve.

Në rezolutën e KB-së, e cila nuk ka karakter obligues, thirren vendet-anëtare të luftojnë kundër mungesës së tolerancës religjioze dhe kundër mallkimit të besimeve fetare. Rezolutë të këtillë Asambleja e Përgjithshme e aprovon çdo vit.

Në tekstin, e aprovuar mbrëmë, theksohet se diskriminimi në baza fetare paraqet shkeljen e të drejtave të njeriut dhe shprehet druajtje për mundësinë që në disa pjesë të caktuara në botë të nxitet urrejtja fetare.

Tre ish republikat sovjetike baltike, Lituania, Letonia dhe Estonia votuan në KB kundër projekt-rezolutave kundër “heroizimit të nazizmit”, të dorëzuar nga Rusia. Bashkë me tre vendet kundër nismës ruse në Asamblenë e Përgjithshme u prononcuan edhe 21 shtete, në mesin e të cilave SHBA-ja, Franca, Britania e Madhe, Gjeorgjia dhe Polonia. Tridhjetë e dy delegacione, në mesin e të cilave edhe ajo ukrainase, ishin të përmbajtura.

Asambleja e Përgjithshme e KB-së shprehu brengosje nga lartësimi i lëvizjes naziste dhe të ish anëtarëve të SS nazistikë përmes ndërtimit të përmendoreve dhe memorialeve, si dhe organizimin e protestave me qëllim që të festohet e kaluara naziste, lëvizja naziste dhe neonazizmi.