Tiranë – SHBA-të dhe Shqipëria kanë një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të ngushtë, një marrëdhënie që pasqyron angazhimin tonë të ndërsjellë ndaj vlerave universale të lirisë dhe parimeve demokratike. Kështu deklaroi Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu gjatë pritjes së organizuar pasditen e sotme, me rastin e 20 vjetorit të rihapjes së Ambasadës së SHBA-së në Shqipëri .
Duke nënvizuar se ndjehet krenar për të folur mbi miqësinë e madhe dhe partneritetin e thellë mes dy vendev tona, Arvizu tha se “është një partneritet jetëgjatë që ndërtohet mbi pikëpamje që bashkëndajmë, për një Shqipëri të lirë dhe të begatë, me një demokraci të fortë dhe të gjallë që adreson aspiratat e shtetasve të saj”.
Sipas tij, 20 vite më parë në Tiranë, në verën e 1991, Sekretari Amerikan i Shtetit, Xhejms Bejker, iu afrua një mikëpritje zhurmë madhe nga mijëra shqiptarë, dhe mesazhi kryesor i tij ishte “Liria funksionon”.
“Sekretari Bejker, dëgjoi nga shqiptarët që Amerika është me ne.Po, absolutisht që po, ne kemi qënë gjithmonë në anën e kombit shqiptarë dhe ne do vazhdojmë të mbështesim përparimin dhe avancimin e vazhdueshmë të Shqipërisë, integrimi euro atlantik, një shtet i fortë ligjor, një ekonomi e begatë e drejtuar nga tregu dhe institucione të pavarura dhe demokratike.Këto janë aspiratat e popullit shqiptarë”, deklaroi Ambasadori i SHBA-së.
Ai vlerësoi se përparimi i Shqipërisë gjatë 20 viteve të shkuara është i dukshëm pasi, sipas tij, “asnjë vend në Ballkan, nuk ka udhëtuar kaq shumë e larg, për një periudhë kaq të shkurtër kohe”.
Duke vënë në dukje se populli shqiptar ka folur vendosmërisht sesi e përfytyron ai të ardhmen e vendit të tij, Arvizu theksoi se “e ardhmja e Shqipërisë është në duart tuaja dhe në duart e të gjithëve.
“Ju përket ju ta përcaktoni të ardhmen.Mundësitë tuaja për sukses do të përmirësoheshin së tepërmi, nëse punoni së bashku për një qëllim të përbashkët dhe për të mirën e përbashkët. E ndërsa e bëni këtë, të jeni të sigurtë se SHBA-të, do të vazhdojnë të jenë në anën e popullit shqiptarë”, deklaroi Ambasadori Amerikan.
Në kuadër të aktiviteteve të organizuara nga ambasada Amerikane, Arvizu bëri të ditur se “të hënën në mëngjes, në një ceremoni solemne private, ngritëm flamurin amerikan në nderim të dy vendeve tone. Secili prej nesh, si kolegët shqiptarë dhe amerikanë, qëndruam krah për krah, për të kujtuar atë që ka ndodhur 20 vite të shkuara. U ndalëm të mendojmë mbi persepktivën e Shqipërisë në të ardhmen dhe se si ne, si Ambasadë Amerikane, të mund të ndihmojmë nxitjen e përparimit të vazhdueshëm të Shqipërisë”.
Gjithashtu ai bëri të ditur se të enjten do të organizohet një konferencë, e cila do të shqyrtojë partneritetin SHBA- Shqipëri, me studjues të shquar shqiptarë dhe amerikanë, përfshirë disa të ftuar që kanë qënë në qëndër të ngjarjeve 20 vite më parë, dhe ky do të jetë vetë shqyrtimi për përkushtimin tonë për të ardhmen.
“Të dielën e shkuar, patëm mundësi të veçantë për të përjetuar pritjen e vërtetë të popullit shqiptar.U preka me të vërtetë nga vërshimi i dashurisë që treguan kaq shumë shqiptarë ndërsa u bashkuan me ne, për panairin e hapur sipas stilit amerikan.Ne e ndjejmë ngrohtësinë e popullit shqiptar dhe shprehjen e sinqertë të miqësisë së tyre ndaj Amerikës”, tha Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, i cili përfundoi duke falenderuar për këto 20 vite të mrekullueshme.
Tuesday, 04 October 2011 21:01