Tiranë – Presidenti i zgjedhur i Republikës Bujar Nishani priti sot në një takim Ambasadorin e SHBA në vendin tonë Alexander Arvizu. Ambasadori Arvizu i shprehu Presidentit Nishani urimet e tij me rastin e zgjedhjes në këtë detyrë të lartë si dhe i dorëzoi edhe një letër urimi, nga Sekretarja e Shtetit e SHBA Hillary Clinton.
Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi i shkëlqyer me ambasadën e SHBA, i Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Drejtësisë gjatë drejtimit të tyre nga Z. Nishani, si dhe u shpreh angazhimi për të vijuar me të njëjtin nivel bashkëpunimi.
Letra e Sekretares Clinton shprehet: “Dëshiroj t’ju përcjell urimet e mia më të ngrohta me rastin e zgjedhjes tuaj si President i Shqipërisë. Unë pres që të punoj me ju për të ndihmuar në forcimin e demokracisë në Shqipëri dhe përparimin e aspiratave europiane të popullit shqiptar.
Roli juaj si President është jetik për garantimin dhe zhvillimin e demokracisë në Shqipëri dhe unë kam bindje se integriteti dhe pikëpamjet tuaja do të përputhen më së miri me përgjegjësitë e larta që i janë besuar Presidentit të Republikës. Shtetet e Bashkuara kanë angazhimin për të mbështetur punën tuaj të rëndësishme për të garantuar pavarësinë dhe efektivitetin e institucioneve shqiptare”,-shkruan Sekretarja e Shtetit të SHBA Clinton, në letrën e saj të urimit për Presidentin Nishani. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 27 June 2012 14:45