Lajme Shqip Wednesday, 09 May 2012 10:55

Tiranë – Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, u shpreh mbrëmë në një emision televiziv, se një punë e mirë është bërë në lidhje me funksionimin e Parlamentit, megjithëse mbetet ende punë për të bërë për reformat.

Sipas ambasadorit Arvizu, “parlamenti ka bërë shumë përparim në reformën e kodit elektoral, rregullat e procedurës parlamentare, por tani duket se kanë ngecur paksa në çështjet që ne e dinim që do të ishin të vështira, kryesisht përbërja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe mekanizmi i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. Domethënë, kur ka një mosmarrëveshje apo kur duket se një kandidat kryeson me vetëm 10 vota ose pas një procedure gjyqësore tjetri kryeson me 86 vota, apo të tjera gjëra të tilla, kush do ta zgjidhë këtë mosmarrëveshje? Mendoj se procesi që pamë vitin e kaluar tregon se ky nuk është një proces tërësisht i kënaqshëm. Prandaj unë po shpresoj në asistencën e OSBE, ODIHR, Këshilli të Evropës, Komisionit të Venecias, se do të ketë dëshirë për të gjetur një mënyrë për të përmirësuar funksionimin e KQZ-së, ndoshta duke ndryshuar përbërjen e KQZ-së ose mekanizmin e zgjedhjes së mosmarrëveshjeve. Ka vend për përmirësim”.

Në lidhje me situatën dhe problemet që po kalon media shqiptare Arvizu u shpreh se “pikë së pari, unë i qëndroj atyre që përmenda në editorialin me rastin e Ditës Botërorë të Lirisë së Shtypit, por ka shumë gjëra pozitive. Mendoj se informacioni thelbësor që u serviret shqiptarëve është diçka pozitive. Por mendoj, se një nga burimet më të mëdha të shqetësimit në Shqipëri është fakti se ka shumë shtrembërime. Ka më tepër shtrembërime se sa çensurë. Nuk është tamam një treg i hapur apo i lirë. Dimë se ka disa interesa biznesesh të fuqishme pas kësaj gazete apo atij stacioni, ose mbase ata janë të lidhur. Një parti ose një lëvizje politike mund të kenë lidhje, por do të kesh gjëra të tilla pa kuptim si politikanë të një grupi që bojkotojnë, që shfaqen në një stacion televiziv, por jo në një tjetër, ose një program fton nga një krah, po nuk fton tjetrin. Ky është shtrembërimi për të cilin po flas”.

Sipas ambasadorit Arvizu, kjo ka të bëjë me diçka të papërcaktuar mirë. “Ka disa probleme me strukturën ligjore gjithashtu. Mendoj se ligjet për shpifjen ose mjetet e përdoruara për të ndëshkuar njerëzit ndoshta duhet të rishihen pak më mirë. Mendoj se ndonjëherë ndëshkimi duket pak më i rreptë se sa duhet të ishte, duke marrë parasysh rrethanat. Nuk dua të jem shumë kritik, por për disa media, për disa gazetarë të caktuar, duket sikur janë shtojcë e një force politike. Në një demokraci, mendoj se duhet të kishte pak ndarje midis të dyjave. Në një demokraci të shëndetshme, duhet të kishte skepticizëm ndaj të gjithë politikanëve, sigurisht ndaj atyre që qeverisin vendin, por edhe ndaj opozitës”.

Në lidhje me takimin mes Kryeministrit Sali Berisha dhe sekretares së Shtetit, Hillary Clinton, ambasadori Arvizu tha se “Sekretarja Klinton e bëri shumë të qartë mbështetjen e plotë të SHBA për popullin shqiptar, këtë vend të mrekullueshëm dhe kontributin e saj për stabilitetin rajonal, për atë që po bën si vend anëtar i NATO-s, apo përparime që kanë ndodhur këtu në 21 vitet e fundit. Mendoj gjithashtu se ajo ishte shumë e qartë në shprehjen e shpresës dhe disa nga shqetësimet tona për përparimin e ngecur në disa fusha, si lufta kundër korrupsionit, shteti ligjor. Kështu pra, mendoj se mesazhet e SHBA ishin shumë të qarta”.

Lidhur me kandidaturat për President të ardhshëm të vendit dhe nëse e njeh ai Presidentin e ardhshëm, ambasadori Arvizu u shpreh se “Nuk e di. Ndoshta. Di për listën e Çanit. Nuk është vetëm lista e Çanit, por për sa i përket kësaj, shoh Kryetaren e Parlamentit, znj. Topalli, z. Nano, z. Meta është përmendur, Artur Zheji, Fatos Lubonja. E di se kush janë këta, pra, nëse është një nga këta, do të them, po, e njoh presidentin e ardhshëm. Por, duhet të jem i sinqertë. Disa nga emrat janë njerëz që s’i kam takuar. kështu që pyes stafin tim në ambasadë. Kush është ky person për të cilin shkruhet në gazetë ose media?”

Duke folur mbi zgjedhjet e 8 majit, Ambasadori Arvizu theksoi se këtu ka dy pika, “e para, në disa mënyra, politika dhe diplomacia janë dy anë të të njëjtës medalje, ku qëllimi është që të arrihet ajo që është e mundur, me disa parime morale, me disa udhëzime. Kjo nënkupton se duhet të arrihen kompromise dhe njerëzit që nuk janë në gjendje të bëjnë kompromise ndoshta nuk duhet të jenë në politikë dhe as të përfshihen në diplomaci. Së dyti, për sa i përket asaj që ndodhi vitin e kaluar, mbaj mend se në 8 maj pati një ndjenjë të madhe shprese dhe optimizmi dhe paksa ankth. Të gjithë e dimë çfarë ndodhi në ditët që pasuan. Më lejoni të eci para për të ardhur në ditët e sotme”.

Në lidhje me pritshmëritë e tij për politikën shqiptare, ambasadori i SHBA-së tha se “pritshmëria ime është që politikanët do t’i vënë veshin dëshirave, vullnetit të njerëzve dhe do të veprojnë më seriozitet në emër të njerëzve. Dhe ka mekanizma. Marrim zgjedhjen e presidentit për shembull. Do ta shohim se si do të zhvillohet, por, mënyra se si presidenti do të zgjidhet mendoj se do të ndikojë në perceptimin e votuesve në vitin 2013, pavarësisht nëse ata mbështesin PS, PD apo një parti të tretë. Deri në një farë mase, përshtypjet e tyre do të ndikohen nga mënyra se si ky proces do të zhvillohet, në mënyrë që të jetë një lloj referendumi. Pra, unë si amerikan besoj në njerëzit që bëjnë korrigjime kur është e nevojshme. Por, sigurisht, këtu në Shqipëri, për shkak se mekanizmi institucional nuk është aq i fortë sa duhet të ishte, na duhet ende të punojmë për këtë. Përsa i përket çështjes së të qënit i drejtpërdrejtë, nga njëra anë mendoj se njerëzit hedhin sytë nga SHBA për udhëheqësi, dhe ne duhet t’i përgjigjemi kësaj. Pra, po, shpresoj dhe pres, që në rast se do të ketë probleme serioze, njerëzit të dëgjojnë atë që do të kem për të thënë dhe të thonë, ai po thotë të vërtetën, ai po flet drejtpërdrejt”.

Nga ana tjetër, vijoi Arvizu, “si kryediplomati amerikan në këtë vend, ajo që unë dua është ndryshimi pozitiv. Dua që nga një situatë e keqe të dalë diçka e mirë. Sinqerisht, jam i gatshëm të sakrifikoj reputacionin tim apo reputacionin e ambasadës nëse vërtet do ndryshonte diçka. Me fjalë të tjera, nuk do të them diçka vetëm sepse mendoj se do t’i kënaqë njerëzit ose sa për të marrë një duartrokitje. Gjëja e rëndësishme është që të përpiqemi të marrim një rezultat dhe, nëse arritja e këtij rezultati do të thotë që të punohet me qetësi, ndoshta dhe me ashpërsi, të qënit i drejtpërdrejtë në takime private, nëse e mendoj se kjo është mënyra më e mirë, atëherë kjo është ajo që do të bëj. Por, shpresoj se gjatë pjesës tjetër të detyrës time këtu, njerëzit të shohin se po tregohem i drejtpërdrejtë dhe i sinqertë”.