Lajme Shqip Thursday, 26 May 2011 16:08

Elbasan – Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu u shpreh sot në Elbasan, se “deklarata e zv.Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Euroazinë, Tomas Kantrimen në intervistën e tij një ditë më parë, është ajo që Ambasadori mendon dhe mbështet mbi situatën zgjedhore në Shqipëri”.

Gjatë ceremonisë së betimit të 39 vullnetarëve të Korpusit të Paqes në mjediset e Teatrit “Skampa”, Arvizu e cilësoi intervistën e Kantrimen, “konçize dhe të kuptueshme lidhur me situatën zgjedhore në Shqipëri”.

“Dje, z. Kantrimen ka dhënë një intervistë për situatën zgjedhore në Shqipëri, e cila ishte e thjeshtë, konçize dhe mjaft e kuptueshme. Nëqoftëse e keni lexuar me kujdes deklaratën e Z. Kantrimen, do të kuptoni se nuk ka asnjë pyetje përsa i përket qëndrimit të SHBA ndaj situatës”, tha Arvizu.

Duke ju drejtuar mediave, ambasadori Arvizu shtoi se, “ju duhet të lexoni të gjithë deklaratën dhe jo atë pjesë që ju pëlqeni dhe favorizoni, por të gjithë deklartatën”.