Tiranë – Ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu, deklaroi sot se “Kolegji Zgjedhor duhet të vendosë mbi bazën e meritës dhe ligjit pa patur parasysh ndërhyrjet politike”.
Gjatë ceremonisë së 10-vjetorit të hapjes së Institutit arsimor Wilson, në një prononcim për mediat, diplomati amerikan u bëri apel partive politike të pranojnë vendimin e Kolegjit Zgjedhor, ndërsa nënvizoi se “procesi elektoral ka hyrë në atë qe ne e quajmë fazën ligjor”.
Arvizu theksoi se “ligjet kritike janë ato që unë i quaj normale dhe e dinë të tërë që sot është planifikuar të mblidhet përsëri Kolegji Zgjedhor. Mendoj se faza ligjore është e vetmja fazë në të cilën kjo çështje duhet vendosur dhe ne si SHBA, si miq të Shqipërisë, e kemi thënë mendimin tonë për këtë”.
Më tej, diplomati amerikan theksoi se “pasi Kolegji Zgjedhor të marrë vendimin ligjor nuk mbetet gjë tjetër vetëm që kjo të pranohet nga partitë politike sepse kjo është gjëja ligjore për të bërë”.
Ambasadori Arvizu siguroi se Ambasada e SHBA-së, por edhe qeveria amerikane, po ndjekin me shumë vëmendje dhe me shumë kujdes procedurën ligjore për këtë proces.
Friday, 27 May 2011 14:03