Tiranë – Ambasadori i SHBA në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ka zbuluar dje për herë të parë se pas 21 janarit ka ekzistuar një celulë anti-amerikane në Tiranë, me drejtues dhe mbështetje biznesi.
Gjatë një interviste për një televizion shqiptarë, Arvizu ka folur edhe për ngjarjet e 21 janarit dhe vlerësimet e tij për drejtuesit kryesorë politikë. Duke folur për një lëvizje anti-amerikane në Shqipëri ambasadori Arvizu është shprehur: “një fenomen që për mua është shumë i qartë dhe që ne e kemi parë në atë periudhë, që ka qenë një anti-amerikanizëm i organizuar, i drejtuar dhe ka pasur një celulë, ka pasur drejtues, ka pasur mbështetje biznesi, ka pasur gjithashtu dhe makineri.
Pra, ka qenë një aktivitet i organizuar që ka pasur në plan të mund të marrë një kah politik. Por gjithashtu në një shoqëri demokratike, unë e pranoj këtë. Por unë mendoj që kjo gjë nuk drejton siç duhet, nëse shkon kështu.
Megjithatë flasim për njerëzit në Amerikë dhe ata thonë që çfarë lidhje ka kjo me këtë? Ky është një aktivitet i drejtuar, i orientuar, nuk është diçka organike. Është diçka për të cilën paguhet, është diçka që është e skicuar e hartuar në këtë formë. Ka një plan dhe të gjitha veprimet që ndërmerren për ta realizuar. Kështu që mendoj se është e rëndësishme për ta dalluar, për ta kuptuar për atë që është. Ne e dimë se ç’po ngjet këtu”.
Vlerësimi për Berishën si burrë shteti
Nëse do të kishte një figurë dominuese politike gjatë 20 viteve të fundit, do të thosha se janë dy persona shumë të qartë, nr. 1 dhe nr. 2. Numri 2 është Fatos Nano, ndërsa numri 1 është zoti Sali Berisha, sepse ka pasur shumë politikanë të mirë, ata që janë shfaqur në skenë në vitet ‘90. 
Zoti Berisha është një person që ka ditur të mbijetojë politikisht në këto 20 vjet, ka qenë me të vërtetë një politikan i jashtëzakonshëm, ka qenë në pushtetin më të lartë, e ka humbur plotësisht këtë pushtet dhe ka ditur të rikthehet. Ai ka ndryshuar shumë nga ai i fillimit të viteve ’90.
Njerëzit mund të emocionohen, të nxitohen, në një shoqëri demokratike kjo është pjesë e lojës dhe duhet të pranohen si një pjesë normale e diskursit politik.
Vlerësimi për Edi Ramën: Më shumë se politikan, është artist
Mendoj se zoti Rama është një individ vërtet shumë tërheqës, mahnitës. Kam shpenzuar orë të tëra me të dhe gjatë kësaj jave do të darkoj me të.
Një gjë që do të dojë të thotë se ai nuk është politikan, por është artist. Ai ka pasur një karrierë fantastike, ai ka ndarë me mua disa prej historive të tij, për vitet në Francë, për pasionin e tij si artist, sepse i përket një brezi të ndryshëm nga zoti Berisha dhe Nano.
Ai më ka treguar se si puna e tij e parë në administratën publike ka qenë si ministër i Kulturës ka qenë shumë popullor.
Ka qenë zgjedhur tri herë si kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe ishte kaq ngushtë në rezultat për t’u zgjedhur për herë të katërt. Është një njeri karizmatik dhe është një politikan i jashtëzakonshëm.
“Në 21 janar po të isha polic, do isha larguar nga detyra”
Ju përmendni një ditë që e ka shumë të vështirë që e ka ndjekur. Ka pasur katër të vrarë dhe shumë persona të plagosur, policë që janë rrahur, ka pasur dhe protestues që janë rrahur nga policia pas demonstratës. 
Kanë kaluar 8 muaj dhe njerëzit pyesin se çfarë po ngjet. Ajo që unë dua të shoh një ditë është që zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të njoftojë për publikun individët që do të akuzohen për x gjë, p.sh. për vrasjet e kryera nga pakujdesia, apo përdorimit të forcës. Këta persona do të akuzohen për vrasjen e 4 personave.
Së dyti, zyra e Prokurorit njofton se në bazë të të dhënave, provave që janë mbledhur gjatë hetimit që këta individë x, y, z janë persona të cilët do të mbajnë përgjegjësi sepse kanë penguar hetimin, kanë fshehur prova, nuk kanë lejuar që hetuesit të zbulojnë të vërtetën lidhur me atë që ka ngjarë dhe së treti, Prokurori i Përgjithshëm njofton se akuza penale do të ngrihen për individët x, y, z, sepse kanë organizuar, planifikuan dhe kryen një demonstratë të dhunshme që është hartuar në mënyrë që të merrnin një reagim të ashpër nga ana e qeverisë.
Dhe, mbi këtë bazë, Prokuroria do të kërkonte imunitetin e këtyre individëve e të mund të vazhdonte hetimin. Kjo është ajo që unë pres të ndodhë. Është tejet e qartë që ka pasur një grup njerëzish që kanë organizuar këtë demonstratë, që ajo të shndërrohej në këtë mënyrë. Nuk bëhet fjalë thjesht për përgjegjësi të asaj apo kësaj, por fakti është që 4 persona janë vrarë, kështu që këta persona janë vrarë nga persona të sigurisë. Ne kemi dërguar ekspertë nga FBI, ekspertë të kriminalistikës, janë shpenzuar shumë para, në mënyrë që të shikohen provat.
Të gjithë e dinë që kjo ishte një protestë aspak e ngjashme me ato që janë zhvilluar këtu ndonjëherë. Pse ka ngjarë kjo?! Kjo duhet të jetë pjesë e hetimit. Në fazat e para kanë ardhur provokime nga turma njerëzish. Nëse ka ndodhur ndryshe, të dalë dikush e të më thotë të kundërtën, sepse unë nuk e kam parë këtë. Kam parë policinë me tymhedhëse, me mjete të pakta. Situata u përkeqësua.
Deri në atë pikë, në bazë të asaj që unë kam parë, përgjigjja e Policisë ka qenë e mirë, duke parë rrethanat. Policia e Shtetit shqiptar nuk është e mirëpajisur, sepse në këto rrethana, nëse do të kisha qenë polic, do të isha larguar menjëherë. Nëse dikush do më kishte gjuajtur, do ta kisha kapur atë person”ka deklaruar ambasadori Arvizu.
Wednesday, 21 September 2011 14:12