Tiranë – Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, tha të martën se “SHBA kanë mbështetur sistemin parësor shëndetësor gjatë viteve të fundit. Populli amerikan ka dhënë miliona dollarë për përmirësimin e cilësisë së kujdesit dhe zgjerimin e qasjes së kujdesit shëndetësor për shqiptarët”.
I pranishëm në ceremoninë e përurimit të Qendrës së Telemedicinës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza në Tiranë, e mundësuar nga USAID, ambasadori Arvizu e konsideroi të rëndësishme lidhjen online të të gjithë spitaleve në vend, por dhe më gjerë. “Me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipëria ka tashmë këtë qendër kombëtare të telemjekësisë, që lidhet me qendrat rajonale dhe kjo kontribuon në afrimin sa më shumë midis fshatit dhe qytetit, dhe unë mendoj se kjo është një gjë shumë e rëndësishme”, tha Arvizu.
Ambasadori amerikan tha se “ekziston nevoja e qenësishme për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në të gjithë Shqipërinë, por kjo nevojë është më e theksuar në pikat e largëta, sidomos në fshat dhe telemjekësia kontribuon në përmbushjen e kësaj nevoje dhe kapërcimin e faktorëve që kufizojnë qasjen me shërbimet shëndetësore si infrastruktura dhe kostot”.
Ai përmendi rolin udhëheqës dhe angazhimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe QSUT në këtë projekt, të cilët, sipas tij, e kthyen në prioritet madhor shërbimin e shëndetësisë eklektronike dhe telemjekësisë.
Tuesday, 27 September 2011 19:41