Lajme Shqip Thursday, 13 October 2011 20:14

Tiranë – Ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, Alexandër Arvizu, në një intervistë për ABC News në Bruksel, duke folur mbi progres raportin e Komisionit Evropian, ka thënë se tashmë vendi nuk ka rrugë tjetër, përveçse ta konsiderojë momentin aktual si oportunitet për të ecur përpara me axhendën europiane dhe se sinjalet për reformën elektorale janë inkurajuese. 

“Në punën time duhet të jesh optimist dhe realist për t’ia dalë mbanë. Më pëlqeu ajo që thë ambasadori Sequi dje, për progres raportin, që të dyja palët duhet ta shohin këtë si oportunitet për të ecur përpara me axhendën europiane”, tha Arvizu.

Sipas tij, “fillimisht do të ndodhë ajo që ne e quajmë “loja e fajit” ku secili ia hedh fajin njëri-tjetrit. Ndoshta do ketë cikle të reja të saj. Por pas kësaj, të dyja palët duhet të shohin, se ka një oportunitet. Unë dua ta besoj këtë, pasi mendoj, se vendi nuk ka zgjidhje tjetër.

“Javën e kaluar ne festuam 20-vjetorin e hapjes së ambasadës amerikane. Njerëzit më dëgjuan të thosha, se nuk ka vend tjetër në Europë që ka ecur kaq në 20 vjet sesa Shqipëria dhe të gjithë shqiptarët duhet të jenë krenarë për arritjet e tyre. Shqipëria sot është e pakrahasueshme me Shqipërinë e 1991-1992. Por me bisedimet që kam patur me kolegë të mi në një konferencë në Bruksel dhe në Ljubjanë, është evidente që asnjë vend nuk qëndron në vend, secili vend shkon përpara’, tha Arvizu.

Sipas tij, proçesi i zhvillimit ekonomik është një proçes dinamik. “Le të jemi të sinqertë. Për dy vjet, situata në Shqipëri jo vetëm ka qenë në stagnacion, por ka bërë regres. Janë dy vite të humbura. Kështu që duhet rikuperuar koha e humbur”, tha Arvizu.

“I shoh si inkurajuese sinjalet që vijnë për reformën elektorale për të angazhuar edhe ekspertizën e Komisionit të Venecias, ekspertizë që është e mirënjohur dhe që do të sjellë një mbështetje për ndryshimet që nevojiten në kodin elektoral”, u shpreh Arvizu.

I pyetur, nëse SHBA-të do të shtojnë investimet e tyre në Shqipëria dhe sa ka ndikuar vizita e kryeministrit shqiptar në New-York për këtë, ai është përgjigjur se do të dëshironte të shihte dhe liderin e opozitës të tërheqë turistë dhe investitorë në Shqipëri.

“Kryeministri Berisha është shumë efikas për të shitur imazhin e Shqipërisë. Do të doja të shihja zotin Rama dhe ndonjë tjetër përfaqësues të opozitës në vende si New York, Chicago apo Uashtingon që të inkurajojnë më shumë turistë që të vijnë në Shqipëri apo të thithin investimet, pasi sa më shumë investime amerikane dhe europiane të ketë, aq më mirë është për vendin. Ndosha amerikanët që do të vijnë këtu do të befasohen nga mikpritja e shqiptarëve dhe do të hapin biznese të vogla. Kjo është pa diskutim pozitive për Shqipërinë”, theksoi ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, Alexandër Arvizu.