Koplik -Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, i bëri sot apel qytetarëve të jenë më të kujdesshëm në ruajtjen e shëndetit, ndërsa theksoi se ky ndërgjegjësim arrihet përmes edukimit të komunitetit nga strukturat përkatëse dhe organizmat e tjera shoqërore.
I pranishëm në Panairin e Shëndetësisë, organizuar në qëndrën e rrethit të Malësisë së Madhe, Koplik, Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksander Arvizu, pasi ka ndjekur nga afër Panairin, ka vënë në dukje se, “Korpusi i Paqes dhe Ambasada Amerikane janë përpjekur të promovojnë ndërgjegjësimin e popullsisë në mbarë Shqipërinë”.
Ambasadori Arvizu ka vlerësuar edhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve në spitalet dhe klinikat shëndetësore, të cilat tha ai janë edhe falë ministrit të Shëndetësisë.
“Një element tjetër i rëndësishëm i të qënurit i ndërgjegjshëm është komunikimi me prindërit, se si t’i mbrojnë fëmijët të jenë të shëndetshëm, si të jenë të ndërgjegjësuar për këtë gjë”, u shpreh gjatë fjalës së tij Ambasadori Arvizu.
Për diplomatin e lartë amerikan një rol të rëndësishëm për këtë luan shkolla, vendi ku duhet të ekzistojë komunikimi mes prindërve dhe mësuesve, sepse nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa edukimi dhe të qënurit e shëndetshëm, tha ai.
Të pranishmit i përshëndeti edhe Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i cili ndërsa theksoi rëndësinë që ka edukimi shëndetësor, përsëriti dhe një herë vëmendjen që qeveria Shqiptare i ka kushtuar këtij sektori, përmes investimeve të mëdha, jo vetëm në spitale e qëndra shëndetësore me aparatura moderne bashkëkohore, por edhe në veprimtari të shumta ndërgjegjësuese për edukimin e popullsisë.
Pjesë e këtij aktiviteti ishin të hënën edhe dorëzimi i çertifikatave të “Mirënjohjes” për Ambasadorin Amerikan, Aleksander Arvizu, si dhe ministrin e Shëndetësisë, Petrit Vasili.
Monday, 19 December 2011 18:00