Prishtinë – Për tri ditë Prishtina do të jetë organizatore e konkursit të muzikantëve të rinj nga nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia, të cilët do të masin forcat në kuadër të edicionit të nëntë të garave për muzikantë të rinj “Ars Kosova”.
Garat kanë nisur në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, mesditën e së dielës, ndërsa fituesit do të dihen ditën e fundit të këtij manifestimi, më 19 qershor. Mbrëmja e parë i është lënë sopranos e flautistes Marigona Qerkezi, e cila ka mbajtur koncert. Vetë Qerkezi ka qenë finaliste nga këto gara në edicionin e kaluar, duke zënë vendin e dytë. Në koncertin e saj ajo ka qenë e shoqëruar nga pianisti Lekë Salihu.
Sonte në mbrëmje koncert do të mbajë Franc Koronu, që është fitues i çmimit “Grand Prix” i edicionit të vjetëm. Të ndarë në 7 kategori të instrumenteve dhe në atë të kantos, të rinjtë në mes të moshave prej 5 deri në 26 vjeç do të marrin pjesë në konkurs. Në secilën kategori do të dalin nga tre fitues, ndërsa më i miri shpërblehet me çmimin “Grand Prix”.
Instrumenti i pianos, harqet si viola, violina, violonçeli dhe kitara, instrumentat frymore si flauti dhe klarineta, si dhe kantoja, janë kategoritë konkuruese.
Sihana Badivuku, organizatore e këtij manifestimi, ka bindjen se këto konkurse janë shtylla e sistemit pedagogjik muzikor, sepse në këtë mënyrë arrihet një kontroll vertikal i zhvillimit të një artisti, që zgjat shumë. “Ky është një kontakt fantastik, që mundëson monitorimin e të arriturave njëvjeçare jo vetëm të shkollave, por edhe kontakti profesor – prind – edhe artist i ri”, ka thënë Badivuku. Sipas saj organizimi i një manifestimi të tillë nuk është i lehtë. “Për këto aktivitete vendet e zhvilluara japin fonde të mëdha”, ka thënë ajo.
Këto konkurse për tri vjet kanë qenë pjesë e Rrjetit Evropian të Garave (EMCY), por janë përjashtuar për shkak se një herë, në vitin 2009, organizatorët këtu nuk kishin arritur të gjenin fonde për realizmin e garave. Rikthimi në EMCY kërkon kohë.
Kryetari i jurisë për violë, Blerim Grubi, ka thënë se këto gara janë shumë të rëndësishme për artistët e rinj. Edhe në juritë vlerësuese për secilën kategori ka muzikantë profesionistë përveç nga Kosova, edhe nga Maqedonia e Shqipëria. “Kjo është një bazë e mirë për vlerësimin e gjithë nxënësve dhe pedagogëve në punën e tyre njëvjeçare. Kjo e ngre nivelin, përmes asaj xhelozisë pozitive”, ka thënë Grubi.
Festim Haxhikadrija, një tjetër fitues nga edicionet e kaluara, e ka parë si tepër të rëndësishme pjesëmarrjen në këto gara. “Kjo e ngre nivelin e instrumentistëve, sepse secili e sheh veten ku është”, ka thënë ai. Garat e muzikantëve të rinj janë mbështetur financiarisht nga Ministria e Kulturës së Kosovës. (LajmeShqip.com)
Monday, 18 June 2012 17:43