Këngëtari i njohur i muzikës rap Arkimed Lusha, i njohur me emrin artistik “Stresi” u ndalua nga policia kufitare në Qafë-Thanë ditën e mërkurë, teksa po tentonte të udhëtonte drejt Maqedonisë.
Këngëtarit 25-vjeçar rreth orës 15:30 i është bërë e ditur se nuk mund të kalonte kufirin dhe se duhej të shoqërohej për në Komisariatin e Policisë së Pogradecit. Shkak ka qënë masa e arresteti e vendosur nga gjykata muaj më parë ndaj këngëtarit me akuzën “Shtrëngim të dhënies së pasurisë me anë të kanosjes”.
Në qershor 2011, prokuroria e Krimeve të Rënda ngriti ndaj “Stresit” akuzën në fjalë për gjobëvënie, pas një konflikti që ai pati me regjisorin Leonard Bombaj, i cili bëri denoncim në polici dhe prokurori. Fillimisht policia lokale e Pogradecit deklaroi se më 13 korrik, kur anuloi urdhër-arrestin, Gjykata e Lartë kishte ndaluar daljen jashtë vendit për këngëtarin. Më pas është sqaruar se databaza e policisë, kishte lënë në fuqi urdhrin e arrestit, edhe pse Gjykata e Lartë kishte vendosur masën “detyrim paraqitje”.
Një gabim në sistemin TIMS, në pikën e kalimit kufitar të Qafë- Thanës në Pogradec, i ka kushtuar disa orë në qeli këngëtarit, Arkimed Lusha. Ai ka qenë duke dorëzuar pasaportën në pikën e kontrollit për të kaluar kufirin drejt Maqedonisë, kur është ndaluar nga policia. Shërbimet e policisë kufitare i kanë vënë prangat 25-vjeçarit, duke i thënë se rezulton person në kërkim për “kanosje” dhe “gjobëvënie”. Sipas të dhënave, mësohet se akuzat për të cilat këngëtari rezultonte ende në kërkim, ishin ato që kishte ngritur ndaj tij regjisori Leonard Bombaj, disa muaj më parë. Burimet thanë se Stresi nuk ka bërë asnjë lloj rezistence ndaj forcave të policisë, por vetëm ka tentuar që të sqarojë se bëhej fjalë për një ngatërresë, pasi ai vërtetë ka qenë person në kërkim, por tashmë nuk është më, pasi akuzat kundër tij kanë rënë.
Sipas procedurës, këngëtari është transferuar mbrëmë në ambientet e policisë së Tiranës, ku do të bëhet më pas verifikimi i të gjithë dokumentacionit të çështjes dhe saktësimi se cili urdhër i gjykatës mbetet në fuqi. Me masa të zakonshme nga policia, mësohet se, 25-vjeçari mbrëmë ka mbërritur në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku më pas, në praninë e avokatit të tij, ka dhënë shpjegime për çështjen dhe ka bërë edhe saktësimet në lidhje me mandatin e arrestit të anulluar nga Gjykata e Lartë.
Ndërkohë që Gjykata e Lartë ka anulluar urdhër-arrestin ndaj Stresit, madje e ka hequr fare nga lista e të akuzuarve njërin nga katër të dyshuarit, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vazhduar hetimet për ngjarjen. (LajmeShqip.com)
Friday, 02 September 2011 16:19