Hetuesit e Krimeve Kompjuterike të Policisë së Kosovës kanë arrestuar tre kosovarë, të dyshuar se kanë kryer krime kompjuterike, vjedhje e të dhënave të ndryshme personale, bankare, shitjen online të programeve softuerike për infektimin e kompjuterëve.
Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, përkatësisht Sektori për Hetimin e Krimeve Kompjuterike, ka ndërmarrë sot operacion për arrestim në rajonin e Gjilanit dhe Mitrovicës, pasi kishte pranuar informacione nga Byroja Federale e Hetimeve në SHBA, FBI.
Në bashkëveprim me Prokurorinë e Shtetit, është ndërmarrë operacioni për arrestimin e të dyshuarve të rastit, kontrollin e shtëpive dhe objekteve përcjellëse, me qëllim të mbledhjes të provave. Operacioni policor është zhvilluar në rajonin e Gjilanit në dy lokacione dhe në rajonin e Mitrovicës në një lokacion.
Të dyshuarit janë: L. I. (1990); L. M. (1992) dhe L. Sh. (1989), që të tre meshkuj shqiptarë, shtetas të Kosovës.
Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar:
• Gjashtë laptopë;
• Dy shtëpiza kompjuterike;
• Statë telefona mobilë;
• Një hard disk i jashtëm;
• Pesë USB;
• 20 CD;
• 5 500 euro dhe
• Një veturë
Personat e dyshuar me urdhër të prokurorit, janë dërguar në mbajtje policore për vazhdim të procedurës të mëtejme gjyqësore.
Tuesday, 04 August 2015 14:19