Prishtinë (PLOTESUAR)- Unioni i Gazetarëve të Kosovës (UGK), dënon ashpër sulmin e ndodhur ndaj gazetarëve Musa Mustafa dhe Alidin Damiti, në veri të Mitrovicës, gjatë kohës kur ata po raportonin nga kjo pjesë e vendit.
“Sulme të tilla janë të papranueshme për UGK-në, pengesë e drejtpërdrejt në ushtrimin e punës së gazetarëve, dhe pengesë në të drejtën e tyre për të informuar opinionin publik”, thuhet në njoftimin për shtyp. Sipas këtij të fundit, shqetësuese për UGK-në është edhe fakti i mos reagimit të organeve kompetente për mbrojtjen e gazetarëve dhe mos ndihmesa e tyre në realizimin e punës së tyre.
UGK i bënë thirrje mekanizmave të sigurisë që të ndërmarrin sa më shpejt masa ndaj atyre personave të cilët i pengon e drejta për informim, dhe u bënë thirrje po ashtu që t’i sigurojnë dhe t’i shoqërojnë gazetarët kur ata kanë nevojë të raportojnë nga kjo pjesë e vendit. UGK i bënë gjithashtu thirrje të gjithë kolegëve gazetarë e në këtë rast atyre që raportojnë nga veriu i Kosovës që të jenë vigjilent, mirëpo të vazhdojnë punën e tyre profesionale edhe nga kjo pjesë e vendit, sikurse nga çdo pjesë tjetër. (LajmeShqip.com)
*****************************************
Mitrovicë – Breshri të shtënash nga armët automatike dhe revolet janë duke u dëgjuar në protestën e rreth 100 serbëve, që po mbahen para objektit ku është vendosur administrata e komunës paralele serbe në veri të Mitrovicës. Protestuesit serbë po kërkojnë lirimin e Jovica Milkoviçit, i cili është arrestuar sot nga policia e Kosovës, me dyshimin se kishte shkatërruar kontenjerin e punktit policor te Tre rrokaqiejt.
Situata aty, raporton gazetari i ‘Kohës Ditore’ është shumë e tensionuar. Derisa para shtëpive të tyre po zhvillohet protesta e serbëve, banorëve shqiptarë u është vështirësuar lëvizja për në jug të Mitrovicës. Në zonën e Tre rrokaqiejve gjenden disa patrulla të Policisë së Kosovës dhe KFOR-it, ndërsa askund nuk vërehen pjesëtarë të EULEX-it.
Milkoviç është arrestuar sot në orët e mëngjesit, në fshatin Suhadoll të Mitrovicës, ndërsa është shoqëruar në Drejtorinë rajonale të Policisë në Mitrovicë. Tani është në fazën e intervistimit në prani të avokatit të tij. Ai po hetohet në cilësi të të dyshuarit për përfshirje në grup në vepra penale “dëmtim të pronës së luajtshme” të Policisë së Kosovës, dhe “mosrespektim të urdhrave të zyrtarëve të Policisë së Kosovës”.
Protestuesit serbë në prani të Policisë së Kosovës dhe KFOR-it kanë sulmuar fizikisht gazetarët shqiptarë, të cilat kanë dalë për të përcjellë situatën. Gazetarët e ‘Koha Ditore’ dhe agjencisë së lajmeve ‘Kosovapress’ janë sulmuar nga një serb i moshuar dhe nga një grup të rinjsh serb. Korrespondenti i “Kohës Ditore” njofton se një pjesëtar i Policisë së Kosovës gjithashtu ka mbajtur anën e protestuesve serbë duke akuzuar gazetarët “Pse kanë dalë këtu? Çfarë kërkoni?”, ndërsa pjesëtarët e KFOR-it as që kanë lëvizur nga vendi, ku ishin të stacionuar. (LajmeShqip.com)
Thursday, 17 May 2012 15:41