Lajme Shqip Thursday, 26 May 2011 18:27

Prishtinë – Vendet perëndimore mirëpritën arrestimin e të akuzuarit të Hagës, Ratko Mlladiq. Në vazhdën e reagimeve të shumta rreth lajmit se i shumë kërkuari për krime lufte në Bosnje Hercegovinë, Ratko Mlladiq, është arrestuar sot, ka reaguar edhe Shtëpia e Bardhë.

Uashingtoni ka thënë vetëm se janë të “kënaqur” nga lajmi për arrestimin e Mlladiqit në Serbi. Ky arrestim ka qenë një nga kushtet kyçe për suksesin e Serbisë në fushën e integrimit evropian.

Në vlerësime kryesisht fokusohet ndikimi që ka arrestimi në përafrimin e Serbisë me Bashkimin Evropian.

Arrestimi i gjeneralit serb Ratko Mlladiq menjëherë është përshendetur nga liderë të vendeve të rëndësishme. Britania e madhe e cilësoi zhvillim të rëndësishëm “Arrestimi mbyll kapitullin më të pafat në historinë e Serbisë” vlerësoi ministry britanik i mbrojtjes, Liam Foks.

Italia vlerësoi se arrestimi shënon hap shtesë në afrimin e Serbisë me bashkimin Evropian. Deklarata u bë vetëm pak kohë pas lajmit për arrestimin nga shefi i diplomacisë italiane Franko Fratini.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Anders Fog Rasmusen përshendeti prangosjen e njeriut që ka pasur rol vendimtar në njërën nga periudhat më të errta të historisë së Ballkanit.

16 vjet pas ngritjes së akuzës për gjenocid dhe krime të luftës, arrestimi i tij më në fund është mundësi për zbatimin e drejtësisë, vlerësoi shefi i NATO-s.
Komisionari Evropian për Zgjerim, Stefan Fyle, ka përshëndetur arrestimin e kriminelit Ratko Mlladiq, si “hap historik i Serbisë që dëshmon se ka kuptuar rëndësinë thelbësore të pajtimit rajonal”.
Ratko Mlladiq është arrestuar të enjten në mëngjes në Serbi, ka konfirmuar presidenti i Serbisë, Boris Tadiq.

Ish- gjenerali serb i Bosnjës është një prej dy njerëzve më të kërkuar nga Gjykata e Hagës, për krime lufte në ish-Jugosllavi dhe gjenocid gjatë luftës në Bosnje 1992- 1995.
Arrestimi i tij së bashku me Goran Haxhiq është kushti kryesor nëse Serbia kërkon të marrë statusin e vendit kandidat për në BE.