Lajme Shqip Friday, 14 February 2014 12:58

Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë ka vendosur masën “arrest në burg”për Andon Mëhillajn. Ky i fundit akuzohet si porositësi i vrasësit me pagesë Julian Sinanaj. Seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura, ndërsa avokati mbrojtës i Andon Mëhillajt, Lazer Sokolaj ka deklaruar se klienti i tij vuan nga probleme mendore.

Ai ka theksuar se Andon Mëhillaj nuk ka lidhje me killerin Julian Sinanaj dhe me akuzat e ngritura nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. “Andon Mëhillaj merr mjekim për probleme mendore. Ai është i terrorizuar”, tha avokati.

Andon Mëhillaj dorëzohet në polici: Jam i pafajshëm 

Ditën e djeshme Andon Mëhillaj është dorëzuar në policinë e qytetit të Vlorës dhe më pas është transportuar drejt Tiranës me një makinë civile dhe i veshur me antiplumb.

Andon Mëhillaj dyshohet si njëri prej ndërmjetësve të një sërë krimesh me pagesë të kryera nga Julian Sinanaj.

Mësohet se Andon Mëhillaj, thotë se është i pafajshëm dhe do të japë shpjegime në lidhje me akuzat si pjesëtar i bandës së tritolit.

Mëhillaj ka kërkuar siguri për familjen e tij, duke u nisur edhe nga ngjarja e ditëve të fundit në banesën e tij në lagjen “28 Nëntori” në Vlorë, ku shpërtheu një sasi eksplozivi.

Avokati mbrojtës i Andon Mëhillaj, Edmond Dema deklaroi dje se klienti i tij është akuzuar padrejtësisht nga mediat, pasi Prokuroria nuk ka ngritur asnjë akuzë ligjore ndaj tij.

“Ka qenë një vetëdorëzim vullnetar i tij. Është bërë tërësisht në vullnetin e tij të lirë. Është vonuar pak pasi të rregullonte problemet e veta familjare, ka lënë jashtë gruan dhe dy fëmijë. Mediat kanë ngritur akuza ndaj tij, por nuk ka patur asnjë akuze ligjore te ngritur nga ana e Prokurorisë. Ai nuk i pranon akuzat, të cilat shtypi i ka drejtuar ndaj tij. Nuk ka pranuar asnjëherë se ka qenë ai personi që ka urdhëruar dhe sidomos nuk ka lidhje me të gjitha ngjarjet e tjera siç është thënë nga shtypi se, ai ka qenë ndërmjetësi. Andon Mëhillaj realisht është rënduar nga ana e shtypit, është quajtur si sekser, ndërmjetës, ai është baba i dy fëmijëve, ka bërë një jetë të rregullt familjare, nuk ka qenë asnjëherë i dënuar”,- deklaroi avokati, shkruan shekulli.

Sipas avokatit Dema, Andon Mëhillaj ka patur njohje me vrasësin Juljan Sinanaj, madje ky i fundit e ka përndjekur dhe kërcënuar.

“Ka pasur njohje por jo të asaj shkalle që ka pretenduar Julian Sinajaj nga ata që janë hedhur në shtyp. U vetëdorëzua për të qenë i pranishëm për t’u mbrojtur sa më mirë dhe për t’u përballur me ata që po ia përkeqësojnë pozitën e tij.  Ekziston një lidhje, por do t’i japim detajet gjatë hetimit. E vetmja përfshirje që pranon se ka lidhje, por që nuk është ashtu siç është shkruar në shtyp, është vrasja e Sokol Veizit. Në lidhje me vrasjen e Sokol Veizit, është i vetmi kontakt që ka pasur. Nuk ka pranuar asnjëherë që ka qenë personi që ka urdhëruar vrasjen dhe nuk ka lidhje me asnjë ngjarje të tjera siç është thënë nga shtypi,” tha avokati. Ka pasur një periudhë kohë që janë zënë dhe Andoni ka qenë nën kërcënimin e Julianit. Bëhet fjalë për një ngjarje para dy vjetësh. Gjatë gjithë kësaj periudhe ka pasur ngjarje të tilla mes tyre mes të cilat Andoni ka qenë i përndjekur nga Juliani”, ka shtuar në fjalën e tij avokati Edmond Dëmaj,- deklaroi avokati.

Avokati ka hedhur poshtë pretendimet se Andon Mëhillaj ka kaluar kufirin shqiptar, pas arrestimit të Juljan Sinanajt, duke siguruar se gjatë kësaj kohe ai ka qëndruar në Vlorë.

“Gjatë kësaj kohe Andoni ka qenë në Vlorë. Këmbëngulja për t’u vetëdorëzuar ka qenë e tij. Dorëzimi i tij nuk është nga frika, por vetëdorëzim i ndërgjegjshëm. Nga ana e policisë është ofruar ndihma që për familjen e tij do t’i qëndrojnë afër”,- deklaroi avokati.

“Negociatat e dorëzimit kanë qenë shumë të shpejta. Dje pasdite më ka marrë në telefon e më tha e kam vendosur do dorëzohem sigurova familjen.  U thirrën punonjës të policisë nëndrejtori i Policisë së Vlorës dhe mbajtëm një procesverbal për të treguar që Andoni u dorëzua për të dhënë dhe ndihmën e tij për zbardhjen e kësaj ngjarje,” u shpreh avokati duke shtuar se masa e paraburgimit të tij do të shqyrtohet nga Gjykata e Krimeve të Rënda.