Lajme Shqip Tuesday, 20 December 2011 13:18

Peqin – Një i dënuar në Burgun e Sigurisë se Lartë të Peqinit, ka thyer lejen e dhënë nga drejtoria duke mos u kthyer në Institutin e Ekzekutimit të Dënimeve Penale në Peqin.

Zëdhënësja e Policisë se Elbasanit, Valbona Begu, tha se “shtetasi Lulzim Paja, 37 vjeç, me banim në fshatin Shtërmen të rrethit të Elbasanit, ka thyer lejen e dhënë nga drejtoria dhe nuk është paraqitur në burg. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, ku pasi është pritur dhe është verifikuar që 37 vjeçari nuk është kthyer në burg, drejtoria e institucionit ka kryer denoncimin në Polici për ngjarjen e ndodhur”.

Mësohet se Policia ka shkuar në banesën e 37 vjeçarit ku është verifikuar se ai ka qenë në banesë gjatë tre ditëve të lejes e më pas është larguar. Policia ka nisur kërkimet për të gjetur 37 vjeçarin, i cili kishte 15 vjet që kryente dënimin në Burgun e Sigurisë së Lartë të Peqinit për veprën penale të “Vrasjes”. Mësohet se ai kishte edhe dy vjet burg për të kryer, pasi Gjykata e kishte dënuar me 17 vjet burg. Mësohet se në vitin 1997 Lulzim Paja kishte vrarë një bashkëfshatarin e tij për motive që ende nuk dihen.