Tiranë- Pa kaluar as 30 minuta nga qëndrimi i Qeverisë shqiptare, Ambasada Amerikane reagoi përmes një deklarate nëpërmjet një njoftimi zyrtar në faqen e saj. Ambasada Amerikane deklaron se e respekton vendimin e Kryeministrit shqiptar dhe se SHBA-të e vlerësojnë faktin që qeveria shqiptare e shqyrtoi seriozisht çështjen. Edhe pse deklarata e ambasadorit dje paralajmëronte se SHBA do të zhgënjehej në rast të një përgjigjeje negative, duket se vendimi i djeshëm nuk do të ndikojë aspak në marrëdhëniet e dy aleatëve. “E respektojmë vendimin e kryeministrit. Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë faktin që qeveria e Shqipërisë e shqyrtoi seriozisht mbështetjen e përpjekjes ndërkombëtare për të eliminuar materialet luftarake kimike të Sirisë në mënyrë të sigurtë. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me aleatët dhe partnerët si dhe me ONAK dhe Kombet e Bashkuara për të siguruar eliminimin e programit të armëve kimike të Sirisë. Mbetemi besimplotë se do ta përfundojmë eliminimin e programit brenda afatit për të cilin është rënë dakord. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë një miqësi të fortë dhe jetëgjatë. Ne vazhdojmë të mbështesim qeverinë dhe popullin e Shqipërisë teksa punojnë për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më demokratike”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane në Tiranë.
Plani për Sirinë
Armët kimike të Sirisë do të shkatërrohen në një tjetër vend. Këshilli i Ekzekutiv i Organizatës për Ndalimin e Armeve Kimike ka miratuar dje pasdite vendimin mbi planin e shkatërrimit të armëve të Sirisë. Vendimi i KE-së bën dallimin mes veprimeve të shkatërrimit të armëve “brenda territorit të Sirisë” dhe “jashtë” tij, ndërsa përcakton piketa të ndërmjetme asgjesimi për të arritur eliminimin e plotë të armëve të saj kimike.Plani parashikon heqjen e të gjitha substancave kimike të deklaruara dhe prekursorëve, përveç isopropanol, nga Siria, jo më vonë se 5 shkurti 2014, ndërsa lëndët kimike do të transportohen nga Siria deri më 31 dhjetor të vitit 2013. Armët kimike siriane të deklaruara do t’i nënshtrohet shkatërrimin nga 15 dhjetori 2013 deri në 15 mars 2014 në bazë të një kriteri të caktuar.
Sa i takon procesit të shkatërrimit jashtë Sirisë, Këshilli Ekzekutiv vendosi që ky proces të përfundojë deri më 31 mars 2013, dhe të gjitha materialet e tjera të deklaruara kimike të asgjësohen deri më 30 qershor 2014. Në këtë plan nuk përmendet asnjë emër shteti që do të merret me shkatërrimin e armëve kimike. “Unë e mirëpres vendimin e arritur sot nga Këshilli Ekzekutiv,” tha Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike Ahmet Ümzücü. “Plani parashikon një udhërrëfyes të qartë. Ajo përcakton piketa ambicioze që të përmbushen nga Qeveria e Sirisë. Kjo fazë e ardhshme do të jetë më sfiduese dhe ekzekutimi i tij do të kërkojë kohë, ekzistencën e një mjedisi të sigurt për verifikimin dhe transportin e armëve kimike. Vazhdimi i mbështetjes ndërkombëtare dhe ndihma për këtë përpjekje do të mbetet vendimtare” u shpreh kreu i kësaj organizate.
Drejtori i Përgjithshëm do të paraqesë një plan specifik për shkatërrimin e lendeve kimike sirianë jashtë territorit të Republikës Arabe të Sirisë i cili përfshin dispozita për të siguruar përgjegjësi të qartë në çdo fazë për të gjitha kimikatet dhe merr parasysh gjithçka, duke përfshirë edhe datat e synuara, kërkesat për sigurinë dhe të sigurisë, dhe në përgjithësi shpenzimet. Burime nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike, thonë për Reuters që janë edhe disa alternativa ku mund të shkatërrohen këto armë. Të njëjtat burime shprehen se Shqipëria nuk mund të jetë e vetmja shpresë për përfundimin e planit .”Nuk do të ketë vend pritës në vendimin këtë pasdite. Por, amerikanët do të kenë alternativa të tjera”, u shpreh më herët një burim nga OPCW. Refuzimi i Shqipërisë përkon me afatin 15 nëntor për një plan të detajuar për shkatërrimin e stoqeve kimike që duhet miratuar nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW) dhe Damasku. Në shtator, Rusia dhe SHBA ndërmjetësuan një marrëveshje me qeverinë siriane për të shkatërruar të gjithë arsenalin e armëve kimike të vendit të shkatërruar nga lufta. Marrëveshja erdhi pas disa sulmeve kimike, për të cilat qeveria dhe luftëtarët rebelë fajësuan njëri-tjetrin. Ndërkaq, OKB-ja nisi hetimet për të përcaktuar përgjegjësinë e përdorimit të armëve kimike, ku u arrit edhe një marrëveshje ndërkombëtare për shkatërrimin e rezervave të këtyre armëve siriane për të shmangur ndërhyrjen ushtarake të SHBA-së. Britania ishte kundër një ndërhyrjeje në Siri. Por, edhe Kongresi Amerikan ishte i ndarë sa i përket ndërhyrjes në luftën civile siriane. Norvegjia, e cila refuzoi fillimisht të bëhet vend pritës, është angazhuar që të japë një anije të transportit civil në mënyrë që të kontribuojë në transportin e armëve kimike siriane drejt vendit të destinacionit të tyre të shkatërrimit, si dhe një fregatë ushtarake shoqëruese të anijeve. Vendi skandinav premtoi gjithashtu t’i japë një ndihmë deri në 90 milionë korona (10,8 milionë euro) OKB-së dhe Organizatës për Ndalimin e Armëve kimike (OIAC) për realizimin e kësaj detyre. “Unë dëshiroj të shpreh vlerësimin tim të sinqertë për të gjitha shtetet që e kanë mbështetur këtë mision, përmes kontributeve financiare si dhe në natyrë,” tha Koordinatorja e këtij misioni, Sigrid Kaag.
Zbardhen vendet që do të kontribuojnë për shkatërrimin e armëve kimike
Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike ka publikuar dje edhe planin për Sirinë si dhe shtet të cilat do të kontribuonin për shkatërrimin e tyre. Pas vendimit të kryeministrit Rasam për të mos përfshirë Shqipërinë në këtë proces pas protestave disa ditore të qytetarëve, në asnjë rresht nuk përfshihet emri i vendit tonë. Grupi , i përbërë nga 30 ekspertë me prejardhje të ndryshme , ka zhvilluar një Draft-Planit për heqjen e armëve kimike në Siri për shkatërrimin e tyre jashtë territorit .Grupi i planifikimit operativ ka paraqitur një skenar i cili mund të çojë në përshpejtimin e paketimit, renditjen dhe transportin e agjentëve kimikë nga Siria për shkatërrim. Personelit sirian do t’u ofrohet trajnim në paketimin dhe trajtimin e mallrave të rrezikshme dhe në procedurat e nevojshme para certifikimit të dërgesave. Totali i kontributeve në fondin e mirëbesimit deri në 14 nëntor 2013 ka qenë në 10.4 milionë euro nga: Kanadaja , Danimarka, Estonia, Finlanda,Gjermania, Irlanda,Holanda , Zvicra,Mbretëria e Bashkuar , Irlanda e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përveç kësaj, Republika Çeke , Italia, Letonia, Luksemburgu, Zelanda e Re dhe Republika e Koresë kanë bërë angazhimet për e tyre për të kontribuar në Fondin e Mirëbesimit. Qipro dhe Libani kanë dhënë mbështetje në misionin e përbashkët me Gjermaninë, Italinë,Holandën dhe Zvicrën.
PD seancë të jashtëzakonshme plenare
Partia Demokratike kërkoi seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për çështjen e armëve kimike, me pretendimin se qeveria nuk po u jep asnjë informacion qytetarëve që janë të shqetësuar për mundësinë e shkatërrimit të tyre në territorin tonë. Bëhet e ditur se ka qenë Eduard Halimi ai që ka depozituar në Kuvend kërkesën duke specifikuar rëndësinë e seancës dhe urgjencën që ajo të zhvillohej ditën e djeshme. Por deri dje nuk pati asnjë përgjigje nga ana e Kuvendit.
Falja para kryeministrisë
Besimtarët myslimanë janë falur para kryeministrisë duke tërhequr vëmendjen e qindra protestuesve në bulevard. Pasi kanë dëgjuar zërin e Hoxhës nga xhamia që ndodhet disa dhjetëra metra poshtë vendit ku zhvillohet protesta, protestues të besimit mysliman kanë kryer ritin e faljes.
Shkreli “mund” Lamen
Artan Shkreli ka fituar ndaj Artan Lames. Dy aktivistët e njohur për çështjet ambientale kanë ndarë qëndrime të ndryshme në lidhje me importimin e armëve kimike. Shkreli ka shprehur qëndrimin e tij kundër importit të armëve kimike, ndërsa Drejtori aktual i Aluiznit, Artan Lame u shpreh në media se shqiptarët janë të paaftë që të marrin përgjegjësi në këto moment. Si fitues, eksperti Shkreli ka postuar dy qëndrimet në Facebook, ndërsa shkruan se: “E mirëkuptoj Lamen, ndonëse nuk ndaj të njëjtin mendim me të… Sikur tha dhe kryeministri kjo çështje është shumë komplekse dhe ha mjaft diskutim”.
BE: E respektojmë vendimin
Zëdhënësi i KE, Michael Mann bën me dije se Bashkimi Europian respekton vendimin e kryeministrit Edi Rama për mos përfshirjen e Shqipërisë në operacionin e lëndëve kimike të Sirisë. “Mbajtëm shënim deklaratën e kryeminsitrit Rama mbi çështjen e armëve kimike të Sirisë. BE kupton dhe respekton këtë vendim. Bashkimi Europian do të vazhdojë të mbështesë organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike, Kombet e Bashkuara dhe partnerët tanë ndërkombëtarë në përpjekjet e vazhdueshme për të shkatërruar arsenalin e armeve kimike”, deklaroi zëdhënësi i KE-së, Mann për “News 24”.
Ministrat paralajmëruan “Jo”-në
Kundër importimit të armëve kimike kanë qenë edhe dy prej anëtarëve të kabinetit “Rama”. Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço dhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri deklaruan se Shqipëria nuk mund të pranojë shkatërrimin e armëve kimike në vendin tonë. “Vendi mund të ketë shpatulla të vogla për të mbajtur një barrë kaq të madhe. Por opozita e Sali Berishës i ka shpatullat shumë më të vogla për t’u ringjallur nëpërmjet Assadit. Jemi shoqërisht të papërgatitur për t’i dhënë vendit mundësinë të mbajë përgjegjësi së bashku me partnerët ndërkombëtarë. Ndërkohë Fatmir Mediu bën thirrje të mos përsëritet Gërdeci!!! Ndërkohë Sali Berisha, njeriu që nuk dinte ku binte Gërdeci, madje që nuk dinte as që kishte një baxhanak që i vdiq në Gërdec, dika me siguri që Edi Rama ka marrë vendim për të thënë PO!!! Ky është një moment kritik në historinë e një vendi. Por, një moment që na nxori të gjithëve ca mësime në kokë. E për më tepër, të gjithëve të papërgatitur e shumë larg pritshmërisë për vendin që duam e ëndërrojmë. Jam absolutisht i bindur se kryeministri Rama do marrë vendimin e duhur, për popullin dhe vendin e vet. Jemi qeveria që fitoi për popullin, dhe e tillë do jemi deri në fund. Pavarësisht se kemi dhe opozitën që populli nuk përton ta marrë me shkelma përsëri, siç bëri dhe dje”, shkruan Tahiri. Ministri Naço theksoi se nëse projekti që do t’i paraqitej, do të binte ndesh me interesat e të gjithë shqiptarëve, atëherë ai nuk do të guxonte kurrë ta votonte. “Unë kam po aq informacion sa keni edhe ju, sa kanë të gjithë qytetarët, se është diskutuar për një çarmatosje të qeverisë së Assadit, të Sirisë. Sigurisht që jemi një vend anëtar i NATOS dhe kemi të drejta dhe detyrime ndaj një vendi anëtar në NATO. Besoj se kur kemi hyrë në NATO jemi gëzuar të gjithë dhe dikush ka marrë edhe flamurin në atë kohë dhe thoshte që ne e bëmë dhe sot (dje) dalin në protestë. Sigurisht që ne jemi të vëmendshëm ndaj të gjithë zhvillimeve që ndodhin. Unë para se të jem deputet dhe ministër, jam qytetar i këtij vendi, nuk kam nënshtetësi të dyfishtë, nuk kam ndërmend ndonjëherë të iki nga Shqipëria, fëmijët e mi do të rriten këtu dhe unë nuk do të guxoj që t’ju bëj keq fëmijëve të mi, as atyre që më kanë zgjedhur por as qytetarëve të tjerë”, tha Naço.
Meta: Përgjigja negative nuk na prish me SHBA-në
Kur na ndanin vetëm pak orë nga bërja publike e vendimit nga ana e kryeministrit Edi Rama, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, garantoi se çdo vendim, do të ishte transparent dhe do të kishte në themel të ardhmen e vendit dhe të qytetarëve duke paralajmëruar indirekt edhe vendimin që do të pasonte. Kryeparlamentari deklaroi se Shqipëria mund të marrë dhe duhet të marrë ato përgjegjësi që ka mundësi të mbajë. “Shqipëria mund të marrë dhe duhet të marrë ato përgjegjësi që ka mundësi të mbajë dhe natyrisht që një vendim i tillë nuk mund të jetë një vendim thjeshtë i Kryeministrit dhe i qeverisë, as i Kuvendit dhe i Grupeve Parlamentare sepse çdo gjykim, çdo vlerësim edhe i Kryeministrit, edhe i Qeverisë, edhe i Kuvendit do të ketë në themel interesin e qytetarëve dhe zërin e tyre’, u shpreh Meta. I pyetur nëse një përgjigje negative do të cenonte marrëdhëniet me SHBA-në, kreu i LSI-së tregua optimist duke rrëzuar pretendimet. “Nuk e besoj aspak se çdo vendim sovran dhe i përgjegjshëm që do të merrte qeveria apo Kuvendi i Shqipërisë do të cenonte marrëdhëniet me aleatin tonë strategjik. Absolutisht! Përkundrazi mendoj se përgjegjshmëria dhe angazhimi në trajtimin edhe të një çështjeje të tillë me realizëm, absolutisht që do të vlerësohej si një pjekuri dhe si një përgjegjshmëri sepse unë jam i sigurt sikurse besoj që edhe ju jeni të sigurtë që angazhimi dhe preokupimi kryesor i Shteteve të Bashkuara është që Shqipëria të vazhdojë të jetë një aleat dinjitoz në Aleancën Atlantike dhe natyrisht ne do të jemi gjithmonë të tillë duke marrë ato përgjegjësi që mund të mbajmë”, tha Meta.
Jozefina Topalli
Ed Kimiku i recitoi shqiptarëve poemën e mashtrimit! Të rinjtë dhe opozita kanë ditë që e kanë fituar betejën e tyre! Të rinjtë dhe opozita kanë 10 ditë që kanë vendosur për shëndetin, sigurinë e dinjitetin e tyre! Kryeministri doli dhe një herë gënjeshtar! Se shteti nuk është grupi parlamentar i PS, të cilin e përdhos sa herë të dojë, se shqiptarët nuk janë as piktura që i ngjyros si t’i teket dhe se SHBA nuk është njëra nga gratë e radhës.
Namik Dokle
Armët kimike: Mësim i madh për tre burra…Protestat e mijëra qytetarëve me thirrjen emocionuese “Shqipëri e pastër” janë një mësim i madh për të gjithë, por më shumë për ata… 1. Për Edi Ramën…Një Kryeministër, sado i votuar të jetë, nuk mund të vendos për jetën e popullit, pa pyetur vetë popullin. 2. Për Sali Berishën…Nëse del ‘në shesh’ për të futur hundët në një kauzë të madhe për pisllëqe ‘të vogla’, populli të përzë nga sheshi ashtu siç të përzuri nga pushteti. 3. Për Aleksandër Arvizu…Slogani aq i bukur ‘vepro tani’ duhet respektuar edhe atëherë kur populli e përdor edhe për diçka që ty nuk të pëlqen…Sa për atë tjetrin, ‘Lulin e vogël’, nuk ja vlen të konsumosh as edhe një milimetër në Facebook !
Basha: Jo-ja e Ramës, fitore e shoqërisë
Opozita shqiptare ka nxituar ta konsiderojë përgjigjen e Kryeministrit Edi Rama si një qëndrim të detyruar nga qytetarët. “Pak minuta më përpara i gjithë populli shqiptar i dha fund ankthit dhe alarmit të vet shumëditor, duke e detyruar Edi Ramën të bashkojë “Jo”-në e tij të mekur me “Jo”-në e fuqishme mbarë popullore për marrjen dhe asgjësimin e armëve kimike të Sirisë në territorin e Republikës së Shqipërisë”, – deklaroi dje kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas vendimit të shpallur nga kreu i Qeverisë. Sipas tij, kjo është një fitore e madhe e shoqërisë e cila vendosi fatin e saj në një kohë që Rama tentoi të luante me të për interesa dhe përfitime ngushtësisht personale. Kryedemokrati falënderoi më tej protestuesit, ndërsa pohoi se Kryeministri nuk u konsultua me askënd dhe nuk bëri transparencë për ta kapitalizuar për vete këtë çështje. Pas shqetësimeve të shprehura dhe nga ambasadori Arvizu lidhur me qëndrimin e demokratëve, Basha tha se për PD-në marrëdhëniet me SHBA-në kanë qenë, janë e do të jenë marrëdhënie kyçe të dorës së parë në të gjitha drejtimet. Dhe ish-kryeministri Berisha përshëndeti vendimit por ndërkohë kërkoi dorëheqjen e Ramës. “Jep dorëheqjen në qoftë se të ka mbetur qoftë dhe një grimcë përgjegjësie dhe dinjitet, jep dorëheqjen se kush mbi këtë tokë, shqiptar apo i huaj, nuk të beson më”, shkruante Berisha në facebook.
s.t
Artistët në protestë, u thanë “jo” armëve kimike
Fitore është konsideruar nga protestuesit vendimi i Kryeministrit Edi Rama, për t’i thënë jo kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të sjellë në Shqipëri armët kimike të Sirisë. “Jo”-ja e Ramës shpërndau qetësisht qindra protestues të mbledhur para Kryeministrisë të cilët më herët kishin marrë mbështetjen dhe nga artistë të shumtë. Emra të njohur si Manjola Nallbani, Ardit Gjebrea, Besa Kokëdhima, Aurela Gaçe, Juliana Pasha, Mirush Kabashi, etj iu bashkuan zërit të fortë të qytetarëve për tu thënë ‘Jo’ armëve kimike siriane. Protesta, e cila vijoi pa ndërprerje në kryeqytet deri në vendimin final, ishte shpërndarë dje në thuajse gjithë qytetet e Shqipërisë. Elbasanit, Shkodrës, Lezhës, Fierit e Durrësit. Dje u bashkuan edhe Puka, Korça, por dhe shqiptarët e Milanos, Berlinit apo Washingtonit. Aleanca kundër Importit të Plehrave dorëzoi në Kryeministri, 4 orë para vendimit të Ramës, edhe një peticion të nënshkruar nga të paktën 34 000 qytetarë shqiptarë, të cilët i kërkonin qeverisë t’i thoshte, “Jo”, importit të armëve kimike të Sirisë. /shekulli/
Saturday, 16 November 2013 11:59