Lajme Shqip Thursday, 14 November 2013 20:16

Prishtinë-Sjellja e armëve kimike për t’u shkatërruar në Kosovë asnjëherë nuk është biseduar me bashkësinë ndërkombëtare, i ka thënë “Zërit” zëvendësministri i Jashtëm kosovar, Petrit Selimi.

“Nuk kemi biseduar ndonjëherë këtë temë me bashkësinë ndërkombëtare”, ka thënë përmes mesazhit telefonik zëvendësministri Selimi.

Numri dy i diplomacisë kosovare kështu e ka hedhur poshtë lajmin se në rast që qeveria shqiptare në Tiranë i thotë jo kërkesës amerikane, atëherë ekziston mundësia që armët kimike siriane të nisen drejt Kosovës.

Gazeta Express duke cituar burimet e saj të enjten ka raportuar se armët kimike siriane “për momentin do të depozitohen në strehimoret e aeroplanëve ushtarakë nën malin e Goleshit, ose si mundësi e dytë shkatërrimi i tërësishëm i tyre në furrat e shkritores së Trepçës”.

I njëjti medium ka thënë se qeveria e udhëhequr nga kryesocialisti shqiptar, Edi Rama sipas të gjitha gjasave do ta hedhë poshtë kërkesën për shkatërrimin e armatimit kimik që menaxhohet nga regjimi i presidentit sirian, Bashar al Assad.