Shkup – Zv/kryeministrja për euro-integrime e Maqedonisë, Teuta Arifi, ka biseduar me zv/kryeministren kosovare, Edita Tahiri, ku është informuar me masat që ndërmerren lidhur me situatën e tensionuar në Kosovë. Ajo këtë e ka bërë të ditur në takimin e realizuar me ambasadorin e SHBA-ve, në Shkup Paul Volers.
“Nuk rrezikohet stabiliteti i Maqedonisë. Shpresoj se të gjitha masat, të cilat ndërmerren do ta ndihmojnë procesin. Në tërësi Ballkani duhet të orientohet drejt ardhmërisë, kurse sa më pak kah e kaluara”, ka thënë Arifi.
Nga ana tjetër, ambasadori Volers ka përshëndetur iniciativën e Arifit për të mbajtur një takim regjional të zv/kryeministrave dhe kryeministrave për çështje evropiane të Ballkanit perëndimor, në muajin e ardhshëm.
“E përgëzoj Arifin për përpjekjet e saj që bën me realizmin e takimit të ministrave të Ballkanit Perëndimor, gjithashtu dhe për atë që do të vizitojë Athinën në dhjetor dhe do të takohet me Pangallosin. Ky është një hap pozitiv dhe një shembull se çfarë mund të bëhet për të çuar procesin përpara” , ka thënë Volers.
Madje, zv/kryeministri grek Theodoros Pangalos, ka thirrur zv/kryeministren e Maqedonisë për euro-integrime, Teuta Arifi, në takim bilateral, në dhjetor të këtij viti. Veprimi i Pangallosit ishte rezultat i letrës qëllimmirë, dërguar tij paraprakisht nga Arifi, e cila ka kërkuar bashkëpunim në shenjë të marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore.
“Ai e tregoi gatishmërinë e tij për të na ndihmuar si shtet, sa i përket ndihmës teknike drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe më ka thirrur në dhjetor në takim bilateral në Athinë. Bëhet fjalë për ndihmë rreth fondeve të përbashkëta evropiane, IPARD fondet dhe bashkëpunimin ndërkufitar”, ka thënë Arifi.
Ndërkohë, Volers ka përsëritur qëndrimin se SHBA-të do t’i ndihmojnë Maqedonisë për të realizuar perspektivën euro-atlantike.
”Kishim një takim të frytshëm, i diskutuam të gjitha çështjet që kanë të bëjnë më integrimin euroatlantik të Maqedonisë, që është njëra nga prioritete e qeverisë, gjithashtu edhe e jona, do të bashkëpunojmë me të gjithë ministrat dhe me znj. Arifi, dhe do t’i ndihmojmë me këshilla që Maqedonia të ecë përpara rrugës së integrimeve”, ka thënë Volers.
Saturday, 17 September 2011 10:24