TIRANË, Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit rinis ditën e nesërme traditën e të mërkurës së filmit. Sezoni i ri do të fillojë me filmin e ri dokumentar mbi jetën dhe veprimtarinë e vëllezërve Manaqi, realizuar nga Petrit Ruka.
“Homerët e filmit ballkanik” është një udhëtim dokumentar dhe artistik, që kalon nëpër të gjitha vendet dhe viset, ku dy vëllezërit Manaqi jetuan dhe punuan. Jeta, filmat dhe fotot që ata lanë, frymëzuan edhe regjisorin e njohur grek Theo Angelopulos, që xhiroi filmin e të mrekullueshëm “Vështrimi i Uliksit”.
Dy jetë, që dhanë kaq shumë për fotografinë dhe kinematografinë, por edhe për lëvizjen patriotike shqiptare, me të cilën ata nuk i shkëputën lidhjet asnjëherë si patriotë të lindur e të rritur në viset e trojet e hershme shqiptare.
Dokumentari, i finacuar nga Qëndra Kombëtare Kinematografike, do të shfaqet nesër në orën 17:00. Petrit Ruka filloi punë si skenarist në Kinostudio në vitin 1986 me filmin “Eja” të Piro Milkanit. Që prej vitit 1994 është marrë me regji, duke realizuar 2 filma artistikë dhe disa dokumentarë.
Në periudhën 2000 – 2005 mbajti postin e Kryetarit të Qendrës Kombëtare Kinematografike.
Tuesday, 20 September 2011 17:12