Lajme Shqip Saturday, 21 January 2012 16:50

Tiranë – Aktivitetet e Arkivit Qendror Shtetëror, si në të gjitha institucionet kulturore, do t’i kushtohen vitit jubile të shtetit shqiptar, përmes kinematografisë.

Në një prononcim për mediat, drejtorja e këtij institucioni, Elvira Diamanti ka bërë publik programin e AQSHF-së, që konsiston në shfaqjen e filmave dhe dokumentarëve, kushtuar figurave të rëndësishme të kombit tonë,  në të gjitha trevat shqiptare.

“Gjashtë mujori i parë do t’i përkas promovimit të vlerave të kinemasë sonë artistike dhe dokumentareske, përtej kufijve të Shqipërisë, në trojet ku ka shqiptarë”, tha Diamanti.

Shfaqja e filmave do të fillojë nga Maqedonia, ku gjatë muajit shkurt do të shfaqen prodhime kinematografike për personalitete si Ismail Qemali apo Skëndërbeu. Diamanti vlerëson bashkëpunimin që ka gjetur me institucionet jashtë kufirit të Shqipërisë, për të mundësuar këtë projekt.

“Na presin më shumë kënaqësi. Sallat na ofrohen pa qera siç ofrojmë edhe ne materialin filmik. Mendoj se organizimi atje do të jetë mjaft i mirë”, shprehet drejtorja e AQSHF-së.

Tradita e AQSHF-së për të mërkurën e filmit, që nisi një vit më parë, do të vazhdojë edhe gjatë këtij viti, por kësaj here kushtuar 100-vjetorit të Pavarësisë. Të mërkurën e çdo jave AQSHF, në kinemanë e tij, do të vërë në dispozicion, kryesisht për të rinjtë, prodhime kinematografike shqiptare.

Në fondin e tij filmik, AQSHF, përmban 4187 tituj prodhimesh kinematografike shqiptare, 261 tituj të filmave artistikë, 1204 tituj dokumentarësh, 1006 filma kronikalë shqiptarë dhe 197 filma vizatimorë.