Lajme Shqip Tuesday, 17 May 2011 12:36

Strasburg – Delegacioni i Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës (APKE) nesër dhe pasnesër do të qëndrojë në mision parazgjedhor në Maqedoni, në suaza  të ndjekjes të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të caktuara për më 5 qershor.

Delegacioni i APKE-së do ta kryesojë deputeti nga Monako, Zhan-Sharl Gardeto nga grupi i partive popullore.

Gjatë vizitës delegacioni do të takohet me kreun shtetëror të Maqedonisë, me ministrat e Punëve të Brendshme dhe Drejtësisë dhe me përfaqësuesit e partive politike, të inkuadruar në fushatën parazgjedhore.

Anëtarët e APKE-së do të kenë takim me kryetarin e KSHZ-së, dhe shefin e misionit ODIHR/OBSE, me përfaqësuesit e shoqërisë civile, mediet dhe korin diplomatik.

Zgjedhjet më 5 qershor do t’i ndjekë delegacioni prej njëzet anëtarëve të APKE-së, me ç’rast në sesionin e qershorit do të dorëzohet raporti.