Lajme Shqip Friday, 06 January 2012 16:51

Tiranë-Më në fund tarifat e telefonisë celulare në Shqipëri duket të kenë rënë në nivelet mesatare të Bashkimit Europian.

Informacioni bazohet në të dhënat e analizës më të fundit të Cullen International, kompania më e specializuar europiane për studimin e tregjeve celulare.

Nga analiza e Cullen, rezulton se gjatë vitit 2011, tarifat e telefonisë celulare në Shqipëri kanë pësuar rënie të ndjeshme krahasuar me vitin 2010. Në shportën e përdorimit të ulët mujor të shërbimeve celulare, mesatarja e Bashkimit Europian është 9.07 euro.

Të katërt operatorët celularë shqiptarë e kanë këtë tregues më të ulët. Për Vodafone Albania, shporta e shërbimeve kushton 9 euro, për AMC dhe Eagle Mobile rreth 6 euro, ndërsa për Plus Communication rreth 3 euro.

Pra, nëse e përdorni pak telefonin celular, duket se operatori më i përshtatshëm për ju është Plus Communication. Sipas metodologjisë së OECD, përdorim i ulët konsiderohet një total prej rreth 45 minutash thirrje dhe 33 mesazhesh të shkruara në muaj.

Për kategorinë e njerëzve që kanë një përdorim mesatar të telefonisë celulare, kosto mesatare në Europë është 15.3 euro. Në këtë kategori, tarifat që ofrojnë kompanitë shqiptare duket të jenë më pak të favorshme.

Me shërbimin e AMC, një përdorues mesatar i shërbimeve celulare shpenzon 22 euro në muaj, në Vodafone Albania dhe Plus rreth 16 euro. Operatori që ofron tarifat më të lira për këtë kategori, më lirë edhe se mesatarja europiane, është Eagle Mobile, me rreth 13 euro.

Pra, nëse jeni një përdorues mesatar i shërbimeve celulare, operatori më i përshtashëm për ju duket të jetë Eagle Mobile. Sipas metodologjisë së OECD, me përdorim mesatar nënkuptohet një konsum mujor prej rreth 115 minutash dhe 50 mesazhesh të shkruara.

Edhe për individët që kanë një përdorim mujor të lartë të telefonit celular kompania që ofron tarifat më të leverdisshme, gjithnjë sipas Cullen International, është përsëri Eagle Mobile.

Kosto për një abonent të Eagle Mobile është rreth 20 euro, ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Europian është 24.2 euro. Kompanitë e tjera shqiptare, AMC, Vodafone dhe Plus qëndrojnë të treja mbi mesataren e BE.

Sipas OECD, përdorim i lartë mujor konsiderohet një volum thirrjesh prej rreth 250 minutash dhe një numër prej rreth 55 mesazhesh të shkruara. (LajmeShqip.com)