Lajme Shqip Monday, 12 October 2015 16:54

Përderisa shumëkush mund ta paramendojë se jeta e muzikantëve nëpër turne mund të jetë shëtitje e veçantë, realiteti është shumë larg prej lumturisë.

Një studim i bërë së fundi nga “Help Musicians UK”, ka zbuluar se mbi 60 për qind të muzikantëve kanë vuajtur nga depresioni dhe probleme të tjera psikologjike, që sipas 71 për qind të respodentëve, janë shkaktuar nga turnetë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Këngëtarja Alanna McArdle, që së fundi njoftoi për largimin e saj nga punk- bendi “Joanna Gruesome” për shkak të problemeve me shëndetin mental, ka lënë të nënkuptohet se turnetë mund të kenë qenë një faktor që ka ndikuar në vendimin e saj për të hequr dorë.

Dhe kur Zayn Malik theu zemrat e miliona adhuruesve duke u larguar nga turneu i “One Direction” në Azi – duke e lënë bendin pas një kohe të shkurtër – një burim i afërt me të i kishte thënë një tabolidi: “Zayn iku sepse kishte përballuar shumë. A keni qenë ndonjëherë nëpër rrugë plot 4 vjet?”

“Imazhi klasik i turneve të muzikantëve mund të duket kontradiktor për të gjithë neve që dimë diçka për të mirëqenien”, ka thënë Isabella Goldie, nga “Mental Health Foundation”.“Pija me sasi të duhur, shmangja nga droga, gjumi i mjaftueshëm dhe mbështetja nga miqtë e ngushtë dhe familjarët. Këto janë gjërat që ju ndihmojnë të rrini në këmbë…Nuk është befasi që disa muzikantë kanë telashe” .