Liberalizimi i tarifave të sigurimit të detyrueshëm motorrik në gjysmën e dytë të vitit të kaluar pati një efekt në rritjen e tregut të sigurimeve me 11% më pak.
Gjatë prezantimit të raportit vjetor në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë, kryetarja e Bordit Drejtues të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Enkeleda Shehi, vuri në dukje se vitin e kaluar për herë të parë sigurimet vullnetare kaluan ato të detyrueshme në strukturën e të ardhurave të kompanive siguruese.
Në analizën e AMF, tregu i sigurimit të jetës shëndetit paraqiten segmente më dinamike.
Zonja Shehi theksoi edhe njëherë se rritja e tarifave për sigurimin e detyrueshëm motorrik ishte domosdoshmëri dhe se debatet për veprime të bashkërenduara nuk janë objekt i punës së AMF.
Sipas saj, me tarifat e mëparshme, kompanitë e sigurimeve nuk mund të përballonin pagesat e dëmeve.
Në fillim të muajit Shkurt të këtij viti, çmimet e sigurimit motorrik për përgjegjësitë ndja palëve të treta u rritën me afro 3 herë, nga të gjitha kompanitë e sigurimeve njëkohësisht.
Për këtë çështje, Autoriteti i Konkurrencës në Shqipëri ka hapur edhe një hetim.
Përsa i takon pensioneve private, zonja Shehi tha se incentivat e parashikuara në ligjin e ri të pensioneve nuk janë zbatuar plotësisht, për shkak të mospërputhjeve që Ministria e Financave ka konstatuar në raport me legjislacionin tatimor.
Ajo kërkoi zgjidhjen e ngërçit ligjor, në mënyrë që kontributet për pensionet private të njihen si shpenzime të zbritshme dhe të mos tatohen.
Tuesday, 13 March 2012 15:45