Tiranë -Ambasadorja e Britanisë së Madhe , Fiona Mcllwham, theksoi nga qyteti i Beratit, se çështja e zgjedhjes së Presidentit të Republikës përcaktohet nga Kushtetuta dhe nuk është çështje e Komunitetit Europian.
“Nuk është çështje e Komunitetit Europian zgjedhja e Presidentit, se si do të jetë dhe se kush do jetë Presidenti i Shqipërisë, por e partive politike. Vetë Kushtetuta juaj e përcakton qartë këtë që ai do të jetë një figurë e unitetit kombëtar dhe duhet të zgjidhet në mënyrë konsesuale. Ai duhet ta përmbushë më sukses këtë rol”, theksoi ambasadorja Fiona Mcllwham
Mcllwham, e cila në kuadër të projektit “Rritja e transparencës dhe ulja e korrupsionit në organet e qeverisjes vendore”, zhvilloi një takim me kryetarin e bashkisë, Fadil Nasufi dhe drejtues të tjerë të këtij institucioni, është shprehur edhe rreth situatës politike në vendin tonë, duke i bërë thirrje klasës politike shqiptare të bashkëpunojë për reformat integruese të vendit.
“Britania e Madhe do t’ju përkrahë në lidhje në integrimin në BE, por është në dorën e klasës politike. Ju keni bërë reforma të mira në procesin elektoral si dhe në drejtësi, por duhet të vijoni me to”, vlerësoi Mcllwham.
Monday, 16 January 2012 12:42 